Matura, përfundon provimi i Gjuhë-Letërsisë
Tiranë-Plot 33.400 maturantë mbyllën provimin e parë të Maturës Shtetërore, atë të Gjuhë-Letërsisë. Provimi nisi njëherësh në të gjithë vendin, në orën 10.00 dhe zgjati 2.5 orë. Maturantët u testuan krahas njohurive për letërsinë, edhe për gjuhën shqipe në masën 33%. Pyetjet e gjuhës kanë hyrë në skemën e detyruar të provimeve për maturën që prej dy vjetësh. Për mbikqyrjen e provimeve ishin përcaktuar rreth 2.000 administratorë të provimit (AP), të shpërndarë nëpër ambientet e përcaktuar që më parë nga Drejtoritë Arsimore. Administratorët, jo vetëm nuk ishin mësues të shkollës ku administruan, por për herë të parë ata u shkëmbyen midis rretheve të ndryshme.
Testet e plotësuara do të nisen masa të rrepta sigurie, në drejtim të shkollës “Sabaudin Gabrani” në Tiranë, ku do të shpërndahen për tu korrigjuar në 4 qendra vlerësimi në Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Fier. Për vlerësimin do të punojnë 155 korrigjues të testeve, që do të fillojnë nga puna ditën e enjte, 12 qershor 2008, në këto 4 qendra.
Përgjigjet e pyetjeve të këtij provimi për të gjithë të interesuarit do të publikohen në gazetën “Shekulli”, në faqet e përcaktuara për arsimin.
Dje, në orën 22.00 të mbrëmjes, filloi shpërndarja e testeve të provimit të parë të detyrueshëm të Gjuhë-letërsisë nga Agjensia Qëndrore e Vlerësimit të Arritjeve (AVA) në drejtim të Drejtorive Arsimore Rajonale (DAR).
Sipas një grafiku të caktuar, zonat më të thella tërhoqën të parat testet e provimit. Shpërndarja filloi me Tropojën, për të përfunduar me Tiranën, në orën 6.00 të mëngjesit të sotëm. Të gjitha makinat që kryen transportin drejt Drejtorive Arsimore Rajonale u shoqëruan nga Policia e Shtetit.