Gjermania, marrëveshje energjitike me Rusinë

Gjermania dhe Rusia kanë nënshkruar 15 marrëveshje, ku ndër to më e rëndësishmja ishte ajo energjitike. Pas përfundimit të konsultimeve qeveritare gjermano-ruse mbajtur në Hanovër, kancelarja gjermane Angela Merkel ka nënshkruar marëveshjet e bashkëpunimit me presidentin rus, Medvedev.
Merkel tha se në Gjermani është shtuar interesi për gazin rus. Ajo u shpreh e kënaqur për nënshkrimin e 15 marrëveshje të ndryshme, ndër to edhe për bashkëpunim në sektorin e energjisë. Merkel tha se Gjermania për shkak të heqjes dorë nga energjia atomike, në të ardhmen do të ketë nevojë për më shumë gaz.
“Nëse do të kemi nevojë për burime të tjera energjie, pas vendimit për heqje më të përshpejtuar dorë nga energjia atomike, do të vendoset natyrisht në treg. Sa më i lirë që është gazi rus, aq më e madhe do të jetë mundësia që ta blejmë," tha kancelarja.
Në lidhje me temat politike, Merkel dhe Medvedev duan të vazhdojnë dialogun.
Ndaj Rusisë nuk do të bëhet presion që të pranojë një rezolutë në OKB kundër qeverisë siriane, por edhe këtu janë arritur disa linja të përbashkëta. Dialogu gjermano-rus ka treguar këtë vit se raportet mes Berlinit dhe Moskës janë aktualisht kaq stabile, saqë Gjermania mund të kritikojë edhe gjendjen e të drejtave të njeriut në Rusi, pa rrezikuar dëmtimin e këtyre raporteve.