E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania mbështet Kosovën për integrimin evropian

Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e integrimit të saj në strukturat evropiane dhe ato të NATO-së. Kështu u shpreh në Prishtinë Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Karl-Theodor Freiherr zu Guttenberg, gjatë takimit me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi, duke shtuar se Kosova së bashku me vendet e tjera të rajonit po punojnë seriozisht për plotësimin e kushteve të Bashkimit Evropian.

“Mbështetja e Gjermanisë për Kosovën do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Në këtë aspekt duhet të theksojmë që ka një vullnet për një perspektivë të qartë për këto vende dhe normalisht ka kritere dhe kushte që vendet e rajonit duhet t’i përmbushin gjatë rrugës për në BE”, tha Karl-Theodor Freiherr zu Guttenberg, Minister i Mbrojtjes së Gjermanisë.

Sipas Ministrit gjerman të Mbrojtjes, misioni i EULEX-it duhet të përballet me një sërë sfidash në të ardhmen, ndërsa Presidenti Sejdiu dhe Kryeministri Thaçi, e kanë vlerësuar ndihmën që Gjermania po i jep Kosovës.

“Shohim se në vende të caktuara ka struktura të dyfishta, pra ka probleme që kanë një zgjidhje. Ju e dini qe probleme kanë edhe doganat, apo gjykatat në veri dhe këto janë çështjet me të cilat duhet të merremi”, vijoi ministri gjerman i Mbrojtjes.

“Gjithmonë them me një falënderim të veçantë për mbështetjen e fuqishme dhe të pa rezervë që Gjermania i ka dhen Kosovës në proceset e gjata me dekada të tëra”, tha Fatmir Sjediu, President i Kosovës.

“Biseduam për të gjitha zhvillimet në Kosovë, për bashkëpunimin që e ka shteti i Kosovës me shtetin gjerman dhe për të gjitha bashkëpunimet qoftë në aspektin ekonomik, sigurisë dhe të anëtarësimit”, u shpreh Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës. Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Guttenberg, ka bërë të ditur se gjatë vjeshtës së këtij viti numri i trupave të KFOR-it do të reduktohet sërish.

Shkëlzen Osmani < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›