E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK dhe LDK nuk bëjnë publike ndryshimet në qeveri

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike ende hezitojnë të prononcohen rreth ndryshimeve në kabinetin qeveritar. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili njëkohësisht mban të ngrirë pozitën e kryetarit të LDK-së, tha se nuk i takon atij të flasë rreth çështjeve të partnerëve të koalicionit qeveritar, duke shtuar se do të vazhdojë t’i mbështesë institucionet dhe nismat që sigurojnë një qeverisje më e mirë.

“Këto lista dërgohen në komunikime ndërmjet tyre dhe Kushtetuta është shumë e qartë. Por, nëse do të vijë çështja e kompetencave që lidhen me rolin që duhet të ketë presidenti, ajo do të jetë shumë e qartë, por, në këtë fazë, kjo është çështje e partnerëve të koalicionit, absolutisht. Unë jam i gatshëm për atë që e arrijnë partnerët e koalicionit dhe kryeministri i Republikës e bën në bazë të Kushtetutës, e informon Kuvendin për ndryshimet eventuale dhe kjo është çështje e tyre”, tha Fatmir Sejdiu, President i Kosovës.

Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk dha hollësi rreth ndryshimeve në kabinetin qeveritar. “Do të vazhdohet me autoritetet kredibile dhe energjitë e reja qeverisja e mirë në suksesin historik që ka arritur shteti i Kosovës... Vlerat janë duke u afirmuar çdo ditë. Sot Kosova është shtet po nga ky formacion qeveritar institucional”, tha Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës.

Ndërsa në një komunikatë të lëshuar nga zyra e Kryeministrit të Kosovës, bëhet e ditur se zyrtarë të lartë të Kryesisë së Partisë Demokratike, Hajredin Kuqi, Arsim Bajrami, Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota, Memli Krasniqi dhe Adem Grabovci, kanë kërkuar nga Kryeministri Thaçi që të lirohen nga njëra prej përgjegjësive që bartin në Qeveri, ose në Parlament, për të qënë efektivë në angazhimet e tyre ekzekutive dhe politike.

Shkëlzen Osmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›