Gjermania mbështet Shqipërinë në rrugën e integrimit evropian
Berisha takon anëtarin e Bundestagut gjerman, Gernot Erler
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim Gernot Erler, anëtar i Bundestagut gjerman, i cili ndodhet në Shqipëri me rastin e 20 vjetorit të Fondacionit “Friedrich Ebert”. Berisha e falënderoi deputetin Erler për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, në veçanti në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian. Me këtë rast, kryeministri e vlerësoi ndihmën e fondacionit “Friedrich Ebert”, si një kontribut real e i rëndësishëm në projekte të rëndësishme të realizuara në Shqipëri gjatë këtyre 20 viteve. Deputeti gjerman Erler e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe i rikonfirmoi atij se Gjermani do të vijojë të jetë një mbështetëse e fuqishme e përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Evropian. Në takim u diskutua gjithashtu për zhvillimet e fundit politike në vend, ku u vlerësua si një hap pozitiv ndërprerja e bojkotit të institucioneve nga ana e opozitës dhe se tashmë të gjitha energjitë duhet të fokusohen në përmbushjen e 12 prioriteteve të axhendës evropiane për të ecur përpara me hapat e mëtejshëm të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.