Berisha inauguron rrugën “Pushimi i Shoferit” në Divjakë, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 1.2 miliardë lekë
Kryeministri Sali Berisha ishte dje pasdite në komunën Rremas, në rrethin e Lushnjës, ku mori pjesë në përurimin e rrugës Pushimi i Shoferit – Divjakë, me gjatësi 24 kilometra dhe vlerë rreth 1.2 miliardë lekë. Rruga, e ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore, u shërben 50 mijë banorëve të zonës dhe pritet të ndikojë në zhvillimin e bujqësisë, agrobiznesit, etj. Kryeministri Berisha u shpreh se përfundimi i rrugës jo vetëm që u vjen në ndihmë fermerëve, por për këtë zonë hap dhe një perspektive të jashtëzakonshme turistike. Kryeministri Berisha i ftoi banorët që të shfrytëzojnë pasuritë që u ka falur natyra për të shtuar jo vetëm prodhimet bujqësore, por edhe për të mbjellë sa më shumë ullinj dhe drurë frutorë. Berisha kërkoi nga kryetari i komunës së Rremasit dhe komunave të tjera përreth që, tani që rruga është ndërtuar, të hartojnë me shpejtësi masterplanin për zhvillimin e turizmit. Gjithashtu, Kryeministri Berisha shprehu angazhimin se qeveria do të mbështesë çdo projekt që komuna dhe këshilli i komunës do të hartojnë bashkërisht për t’ua lehtësuar dhe përmirësuar jetën banorëve të tyre.
Sipas Berishës, këto vite në rrethin e Lushnjës janë investuar 14 herë më shumë se tetë vitet pararendëse. Ai tha se janë asfaltuar 210 kilometra rrugë, nga të cilat 103 km rrugë kombëtare dhe rrugë rurale apo dytësore 107 km. “Ne kemi investuar në furnizimin me ujë për 33 ujësjellës e kanalizime, për përmirësimin e 27 shkollave dhe të 26 qendrave shëndetësore. Kemi subvencionuar 550 hektarë me vreshta, ullinj, sera dhe bimë arash, nga të cilat kanë përfituar 1100 fermerë. Qeveria këto vite ka bërë investime thelbësore në furnizimin me energji të këtij rrethi, por dhe në sistemin e vaditjes së tij, duke përfshirë këtu edhe kanalin e madh të Myzeqesë”- u shpreh kryeministri Berisha.