E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania mbështet integrimin e Shqipërisë

Gjermania do të përfundojë shumë shpejt procedurat e ratifikimit të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO duke garantuar mbështetje të plotë për anëatarësimin e vendit tonë në strukturat e Atlantikut Verior. Mbështetja e njëjtë e Gjermanisë është theksuar edhe përsa i përket procesit të afrimit të Shqipërisë më BE-në duke e renditur këtë vend si një nga sponsorizuesit kryesor të Tiranës në rrugën integruese. Thelbi i kësaj mbështetjeje është kuptuar qartë gjatë takimit që ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha pati me drejtoreshën për Evropën Juglindore dhe Turqinë në ministrinë e Jashtme gjermane, Emily Haber. Ecuria e marrëdhënieve bilaterale dhe zhvillimi i mëtejshëm i tyre, integrimi i Shqipërisë në BE dhe NATO si dhe zhvillimet më të fundit në rajon, ishin çështjet kryesore që Ministri i Jashtëm shqiptar trajtoi në takimin me Haber.Haber rikonfirmoi edhe njëherë mbështetjen e Gjermanisë për proçesin e antarësimit të Shqipërisë në NATO, duke theksuar se vendi i saj do të përfundojë shumë shpejt procedurat e ratifikimit të Protokollit të Antarësimit të Shqipërisë në NATO. Përsa i përket procesit të afrimit të Shqipërisë në BE, Haber pohoi se Gjermania do të mbështesë fuqimisht këtë proçes, duke synuar që Shqipëria të trajtohet mbi bazën e arritjeve të saja. Haber shprehu vlerësimin e qeverisë gjermane për rolin konstruktiv që Shqipëria ka luajtur dhe luan në rajon. Haber dhe Basha ndanë të njëtin qëndrim me faktin se shtrirja e misionit EULEX në gjithë territorin e Kosovës merr një rëndësi të madhe për zhvillimet e mëtejshme në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›