Gjermania me makthin italian

Kur thua Itali-Gjermani, nuk mund të mos mendosh për paraqitjen magjike të “axurrëve” në Botërorin 2006, që ftuan në kohën shtesë në gjysmëfinale dhe më pas u shpallën kampionë përballë Francës.
Megjithatë, ai nuk është kujtimi i vetëm i hidhur i “Mannschaft”, që kundër Italisë ka vuajtur gjithmonë dhe ka regjistruar më tepër zhgënjime sesa kënaqësi. Në 30 sfidat e mëparshme ndërmjet dy skuadrave, të luajtura prej vitit 1923 e deri më sot, Italia ka një bilanc dukshëm pozitiv.
“Axurrët” kanë fituar 14 ndeshje, nëntë janë mbyllur në barazim, ndërsa gjermanët kanë shtatë fitore. Por, fakti interesant është se triumfet e vetme të “pancerave” janë regjistruar vetëm në ndeshjet miqësore.
Në përballjet zyrtare, Gjermania nuk ka arritur ta mposhttë asnjëherë Italinë. Fitorja e tyre e fundit daton 17 vjet më parë, më 21 qershor 1995 në Zyrih, në një ndeshje për 100-vjetorin e themelimit të Federatës Zvicerane.
Prej atij takimi, skuadrat janë ndarë dy herë në barazim dhe Italia ka fituar tre takime të tjera. Ndeshja e fundit ndërmjet dy skuadrave ka qenë ajo e 9 shkurtit 2011, në Dortmund, që përfundoi në barazim 1-1.
Kundër Gjermanisë, italianët kanë kujtime të dy sfidave që kanë hyrë në histori: gjysmëfinalja e Botërorit 1970 ku “axurrët” fituan 4-3 dhe finalja e Botërorit 1982, të fituar 3-1 nga Italia.
Pra, edhe pse Gjermania cilësohet si një prej favoriteve për të triumfuar në Euro 2012, tashmë ata duhet të bëjnë llogaritë me Italinë, një skuadër që cilësohet si “macja e zezë”. Një pengesë shumë e vështirë për t’u kaluar nga skuadra e Joakim Lëv, që synon lavdinë kontinentale.