E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prandeli kerkon koken e Gjermanise

Fitorja e Italisë ndaj Anglisë nuk erdhi si surprizë duke pasur parasysh statistikat. Madje, edhe nga ajo që u shfaq në fushën e lojës, italianët e merituan plotësisht kualifikimin, pasi dominuan 120 minutat e lojës, duke llogaritur edhe shtesën, e ishin më të saktë në ekzekutimin e 11-metërshave.
Por, Çezare Prandeli nuk ka kohë të festojë dhe ka nisur të mendojë për sfidën me Gjermaninë. “Ata janë favoritë. Një problem është që skuadra duhet të rikuperojë 50 për qind të formës dhe pesë ditë janë pak. Por, këto ndeshje shërbejnë për ti dhënë siguri ekipit dhe për të treguar që ka shumë mënyra për të arritur rezultatin”, tha drejtuesi i stolit “axurr”.
Polemikat në distancë me UEFA-n vazhduan me fjalët: “Kalendari është një problem i UEFA-s, që duhet të gjejë një zgjidhje. Fakti që dy skuadrat në gjysmëfinale luajnë pa pushuar në mënyrë të barabartë nuk e ndihmon spektaklin në fushë”.
Më tej Prandeli theksoi se “ndeshja kundër Anglise ishte më e vështira për Kasanon dhe Balotelin”, ndërsa momentalisht trajneri dhe stafi i tij po punojnë për të gjetur mënyrën më të mirë për t’u përballur me Gjermaninë.
“Duhet të paraqesim një skuadër të gjallë, do të jetë një sfidë e luftuar dhe nëse e përgatit mirë ndeshjen nuk ka skuadra të pathyeshme. Nevojitet të përgatitemi shumë mirë te detajet”, theksoi trajneri, që më pas shtoi: “Kundër Gjermanisë duhet të bëjmë ndeshjen tonë, të rrezikojmë dhe jo të mendojmë vetëm të mbrohemi dhe të mbajmë zotërimin e topit, si bëmë ndaj Anglisë”.
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›