Gjermania ne ankth per zgjedhjet parlamentare ne Greqi

Qeveria gjermane do të ndjek me një ankth të madh zgjedhjet greke të së dielës. Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm gjerman, Vestervelle nga Berlini, duke shtuar se vetëm populli grek mund të vendos për të ardhmen e Greqisë.
“Jemi në ankth të madh për zgjedhjet në greqi. Dhe nuk ka aspak dyshim se e ardhmja e Greqisë mund të vendoset vetëm nga populli grek. Tashmë i takon Greqisë të zgjedhë mënyrën e vet për të shkuar në Europë dhe eurozonë”, u shpreh ai.
Ministri gjerman është shprehur optimist se Athina do të qëndrojë në Euro dhe në BE.
“Gjermania shpreson në një të ardhme të Greqisë në Europë dhe si anëtare të Eurozonës. Në të njëtën mënyrë këmbëngulim që të gjitha gjërat që janë akorduar më parë duhet të përmbushen. Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve të së dielës në Greqi, masat e akorduara nga ne nuk duhet të vihen në diskutim”, sqaroi Vestervelle.
Ndërsa ministri gjerman është shprehur rredh zgjedhjeve në Greqi, kancelarja Merkel nuk ka preferuar të japë asnjë deklaratë rreth tyre. Përmes zëdhënësit të qeverisë gjermane mësohet se kancelarja nuk do të japë asnjë këshillë mbi votën e një vendi mik dhe fqinj. Sipas zëdhënësit Steffen Seibert qeveria gjermane është e gatshme të bashkëpunojë me cdo qeveri që del nga zgjedhjet në një vend me të cilin është partnere.