Gjermania në inflacion prej 1.1 %

Inflacioni në ekonominë gjermane është ngritur në 1,7 për qind në dhjetor, me çka në gjithë vitin e kaluar ka arritur në nivelin prej 1,1 për qind, ka bërë të ditur të premten Enti për statistika Destatis.
Destatis në këtë mënyrë ka konfirmuar vlerësimet e publikuara kah fundi i dhjetorit të kaluar, duke shpjeguar se ngritja e inflacionit vjen si rezultat i ngritjes së çmimeve të energjisë dhe artikujve ushqimorë.
Të dhënat për gjithë vitin tregojnë se shtrenjtimi i benzinës është përgjegjës për shumicën e shtrenjtimeve tjera. Destatis ka bërë të ditur se shkalla vjetore e inflacionit dhe ajo mujore në Gjermani ka mbetur nën limitin e përcaktuar nga Banka Qendrore Evropiane (ECB), nën 2 për qind.
Enti evropian i statistikave Eurostat ka vlerësuar se në gjithë eurozonën inflacioni ka arritur në shkallën prej 2,2 për qind. Dje presidenti i ECB-s Zhan-Klod Trishe ka paralajmëruar se inflacioni do të shënojë më tepër rritje muajve të ardhshëm dhe ka shtuar se banka duhet të përcjellin lëvizjet në këtë sektor.
Fjalët e tij mund të nënkuptohen si një sinjal për mundësinë e ngritjes së shkallës bazë të kamatës në këtë vit nga shkalla aktuale minimale prej një për qind.