E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Do të jemi zëri i Kosovës

Nga Express më 14 janar 2011 në ora 19:59

Në kuadër të vizitës së tij në Republikën e Shqipërisë dhe takimeve të shumta atje me krerë të institucioneve dhe subjekteve politike, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka takuar edhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama.

Me këtë rast, Krasniqi ka thënë se është në interesin e përbashkët të Kosovës dhe të Shqipërisë që të thellohet bashkëpunimi në të gjitha fushat e jetës.

“Është interesi i përbashkët edhe i Kosovës, edhe i Shqipërisë që të thellojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat e jetës edhe në fushën e përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesit kombëtar edhe jashtë Shqipërisë dhe jashtë Kosovës, dhe në këtë rrafsh gjetëm një përkrahje të fuqishme”, është shprehur ai.

Gjithashtu në këtë takim, sipas Zyrës për informim të Presidencës, Krasniqi ka shtruar edhe çështjen për delegacionin e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë që do të jenë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, një pjesë e të cilëve janë nga Partia Socialiste.

Ndërkaq kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama duke shprehur kënaqësinë e tij që takoi u.d të presidentit Jakup Krasniqi dhe delegacionin që e shoqëronte, theksoi të ketë ndarë me të absolutisht të gjitha pikëpamjet e njohura.

“Ndamë absolutisht të gjitha pikëpamjet e njohura dhe mbi të gjitha nënvizuam nga ana jonë se zëri ynë është zëri i Kosovës në Asamblenë e Këshillit të Evropës”, theksoi ndër të tjera kryetari i PS-së.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›