E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania paralajmëron palestinezët

Nga Express më 26 korrik 2011 në ora 15:00

Paralajmërimet e autoritetit autonom palestinez që në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në vjeshtë të shpallë një shtet të pavarur palestinez, kanë shkaktuar reagime të ndryshme në Gjermani.

Gjermania ka vendosur relativisht herët që të mos mbështes një shtet palestinez të shpallur në mënyrë të njëanshme. Qysh në maj të këtij viti, kancelarja gjermane, Angela Merkel, në prani të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, kishte deklaruar: "Ne duam një zgjidhje me dy shtete dhe kjo zgjidhje me dy shtete duhet të përpunohet. Ne nuk besojmë që hapat e njëanshëm ndihmojnë në këtë drejtim."

Në qarqet e opozitës në parlamentin gjerman kritikohet ky përcaktim i hershëm i qeverisë federale. Rolf Mützenich, ekspert për Lindjen e Mesme dhe zëdhënës për politikën e jashtme të grupit parlamentar të socialdemokratëve (SPD) në Bundestag, theksoi: "Na vjen keq për këtë përcaktim të hershëm, për shkak se përmes tij pengohen shanset e krijimit të një pozicioni të unifikuar evropian dhe po ashtu kërkesat për kthimin e aktiviteteve paqësore të qeverisë izraelite."

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›