Kreu i Fondacionit “Soros” në Maqedoni, ish-spiun

Kryetari i Fondacionit “Shoqëria e Hapur” në Maqedoni, Vladimir Milcin nga Komisioni i Lustrimit ka rezultuar si ish-spiun i shërbimeve sekrete.
Dramaturgu dhe letrari Milcin, me nofkën “Dramaturgu”, jo-zyrtarisht nga Komisioni për hapjen e dosjeve thuhet se ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit dhe se kishte detyra për grumbullimin e informacioneve për aktorët dhe personat që silleshin në qarqet e artit.
Siç thuhet ai këto shërbime nuk i kryente për para, por për avancim në karrierën e tij profesionale.
“Ekzistojnë dokumente që thonë se ai ka bashkëpunuar me shërbimet sekrete. Në dosje ka deklarata që thonë se ai ka bashkëpunuar me shërbimet, gjegjësisht se ka pranuar bashkëpunimin me to”, theksoi kryetari i Komisionit për Lustrimin, Tome Axhiev.
Por, Milcin ka mohuar sot se ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit shtetëror dhe se ai pohimet e komisionit i ka vlerësuar si gënjeshtra.
Milcin, kryetari i Fondacionit “Shoqëria e Hapur – Soros” në një konferencë me gazetarët deklaroi se nuk ka qenë bashkëpunëtor, por viktimë e sistemit, për shkak të pjesëmarrjes së tij në organizata që kundërshtonin sistemin.