Spanja, në krye të BE-së dhe në mesin e krizës financiare
Spanja, prej disa kohësh është përfshirë nga kriza ekonomike, rritja e shkallës së papunësisë dhe skandalet e aferave korruptive. Për momentin, e vetmja gjë pozitive është marrja e presidencës së Bashkimit Europian për gjashtë muajt e ardhshëm, mandat që ka filluar që nga 1 janari. Më 8 janar, ndërkohë do të organizohet edhe ceremonia zyrtare e marrjes së detyrës në Teatro Real të Madridit, ceremoni në të cilën do të marrë pjesë edhe çifti mbretëror.
Edhe pse detajet janë luksoze në këtë ceremoni spanjollët e trazuar do të përballen me shumë përgjegjësi gjatë 6 muajve të këtij roli parësor dhe ndoshta disa nga përgjegjësitë mund të jenë shumë të rënda për shpatullat e brishta. Tani që europianët kanë rënë përfundimisht dakord për Traktatin e Lisbonës, është momenti i vënies në funksionim të organizmave të rinj ligjorë dhe për vetë Europën është momenti të tregojë një tjetër mënyrë të vepruari. Tashmë, Europa ka një president të përhershëm, belgun Herman Van Rompuy dhe shefen e politikës së jashtme, Catherine Ashton, që kanë reputacionin e teknokratëve me përvojë e jo të diplomatëve të sprovuar. Sipas Traktatit, ata do të drejtojnë takimet e rëndësishme në Bruksel çka do të thotë se roli i Spanjës nuk do të jetë aq parësor.
Spanja ishte shumë entuziaste në lidhje me marrjen e presidencës, por është e vështirë që të thuhet se sa ka mbetur ende nga ky entuziazëm tani që ditët e “mbretërimit” të saj kanë filluar. Tashmë roli i saj do të jetë ai i mbështetjes së organizmave të rinj dhe jo i drejtueses së drejtpërdrejtë. Motoja e re e vendit do të jetë “të koordinosh”, jo të drejtosh, çka do të thotë se roli i Madridit do të jetë ai i mbështetësit, jo i politikbërësit të mirëfilltë. Megjithatë, Kryeministri i Spanjës mund të përdorë ende disa mjete që ka në dispozicion.
Zapatero ka kaluar vitin më të vështirë të karrierës së tij politike me një Spanjë që i është gjunjëzuar krizës ekonomike dhe financiare dhe me një papunësi në përmasa të frikshme që është thuajse dyfish më e lartë se ajo e vendeve të tjera të Europës. Ajo ka të ngjarë të jetë vendi i fundit në BE që do të dalë nga recesioni dhe rritja ekonomike është parashikuar vetëm pas vitit 2011. Njerëzit kanë gjithnjë e më pak besim te Zapatero. I vetmi lajm i mirë për qeverinë është se opozita është edhe më e dobët dhe e pafuqishme për të ndryshuar situatën. Partia Popullore është përfshirë nga skandale korruptive në të cilat janë përfshirë shumë politikanë, që akuzohen për mitëmarrje dhe ryshfete, si dhe pastrim parash.
Megjithatë, sipas Zapateros, Spanja ka objektiva të qartë për të arritur gjatë periudhës së sapofilluar 6-mujore. Janë objektiva që kanë të bëjnë me zhvillimin dhe të ardhmen financiare të BE-së, marrëdhëniet me jashtë të organizmit me vendet e Mesdheut, Lindjes së Mesme, Amerikës Latine, Rusisë dhe më gjerë, zgjerimit të të drejtave të qytetarëve të BE-së, fokusimit në arritjen e barazisë mes gjinive dhe zbatimit të Traktatit të Lisbonës.
Edhe pse duket se Zapatero do të ketë një mijë e një probleme brenda vendit, ai premton se do t’i realizojë të gjithë objektivat ambiciozë që i ka vënë vetes në pozitën aktuale. Përveç objektivave të sipërpërmendur, Spanja do të tentojë që të çojë më përpara dialogun e BE-së me Kubën, si dhe të përmirësojë marrëdhëniet me Turqinë. Por dihet që sfida më e madhe si brenda ashtu edhe jashtë vendit është kriza ekonomike.