E Diel, 1 Nëntor 2026

Gana mund Serbinë, festa e parë afrikane



Një naivitet i Kuzmanoviçit që prek topin me dorë në zonë dhe penallti për Ganën që Gian nuk mund ta gabojë. Në Pretoria, skuadra e drejtuar nga trajneri Rajevac i ofron afrikanëve buzëqeshjen e parë në këtë Kupë Bote. Duke parë emrat e shumtë të njohur në fushën e lojës pritej një ndeshje shumë herë më entuziaste dhe me emocione, por në të vërtetë, pjesa e parë ishte e fjetur dhe e mërzitshme. Të dyja skuadrat ruhen për të mos gabuar dhe për të mos u ndëshkuar. Por sikur të mos mjaftonte kjo, lojtarët e të dyja ekipeve duken në një formë të mjeruar, sepse gabojnë shpesh edhe stopimet më elementare të topit apo pasojnë me shpeshtësi gabimisht. Mes të dyja skuadrave ajo që luan më mirë është Gana, e cila duket shumë herë me e organizuar në manovrat e saj sesa Serbia e Stankoviçit me shokë. Në minutën e 60 është Gian që godet shtyllën dhe më pas, në minutën e 75-të është Lukoviç ai që prish balancën në fushë, pasi merr kartonin e dytë të verdhë dhe largohet me të kuq. Por me dhjetë vetë duket sikur serbët lëvizin më lirshëm dhe Krasiç, i vetëm në zonë përballë portierit nuk godet siç duhet një pasim të marrë nga e majta. Por 6 minuta nga fundi, ai që do t’i dhurojë një rast të artë Ganës është Kuzmanoviç që prek topin me dorë në zonë dhe Gian, i cili para pak sekondash kishte goditur një tjetër shtyllë, ndez festën e tifozerisë afrikane në Pretoria.

notat

Serbia: Stojkoviç 6, Ivanoviç 6, Vidiç 6, Lukoviç 5.5, Kolarov 6, Krasiç 5, Stankoviç 5.5, Milijas 5, Jovanoviç 6.5, Zigiç 5.5, Panteliç 5,5.
Gana: Kingson 7, Pantsil 6, Mensah 6.5, Vorsah 6, Sarpei 5.5, Anan 5, Boateng 6, Tagoe 6.5, Ajeu 7, Azamoah 6.5, Gian 7.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›