E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermania, "pro" talebanëve të moderuar në qeverinë afgane

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg, nuk e konsideron demokracinë një sistem politik të përshtatshëm për Afganistanin. Kështu raporton sot një gazetë vendase. Bëhet fjalë për deklarata që janë të destinuara të ushqejnë skepticizmin rreth angazhimit ushtarak gjerman në Afganistan dhe rritjen e kritikave rreth shtimit të trupave në këtë vend.

"Kam arritur në përfundimin se Afganistani, për shkak të historisë së tij, nuk është i përshtatshëm të jetë një demokraci model sipas standardeve tona", tha Guttenberg për gazetën "Bild am Sonntag". Të enjten e kaluar, kreu i kishës protestante gjermane e përshkroi luftën në Afganistan si të padrejtë dhe kërkoi tërheqjen e 4400 ushtarëve gjermanë, pjesë e misionit "Isaf" të NATO-s, në luftën kundër talebanëve. Uashingtoni kërkon që aleatët e NATO-s të kontribuojnë me të paktën 5000 ushtarë shtesë në këtë mision. Por, sondazhet tregojnë se në Gjermani publiku është kundër prezencës së ushtarëve gjermanë në vend dhe kërkon tërheqjen e tyre brenda pak viteve të ardhshme. Ndërkaq, Karl-Theodor zu Guttenberg nuk përjashton pjesëmarrjen e "talebanëve të moderuar" në qeverinë afgane. "Duhet të gjejmë një zgjidhje afatgjatë dhe për këtë nuk mund të përjashtojmë një fis të tërë, si pashtunët", tha ai. Sipas Guttenberg, bisedimet mund të zhvillohen vetëm me disa kushte të caktuara, si respektimi i të drejtave njerëzore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›