25-vjeçarja shtatzënë, në terapi intensive
Vajza shtatzënë, e infektuar nga gripi i derrit, vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore. 25-vjeçarja e shtruar prej disa ditësh në spitalin e sëmundjeve të mushkërive, "Shefqet Ndroqi", ndodhet në terapi intensive. Tre mjekët që po e ndjekin me shumë kujdes këtë rast të veçantë, jo vetëm për vendin tonë, por për gjithë botën, janë duke u kujdesur në mënyrë të vazhdueshme për të. Ata thonë se gjendja e saj shëndetësore vazhdon të jetë e njëjtë. Mjekët sqarojnë se vajza shtatzënë nuk ka reaguar ende, nuk ka dhënë asnjë shenjë negative apo pozitive. Pneumologu, gjinekologu dhe infeksionisti janë grupi i mjekëve që po i kushtojnë kujdesin e duhur vajzës, që përveçse është e infektuar nga virusi AH1N1, është edhe gjashtëmuajshe shtatzënë në pritje të dy binjakëve. Muaji dhjetor ka shënuar një shifër të konsiderueshme të të prekurve nga gripi i derrit. E megjithatë mjekët bëjnë të ditur se muajt janar dhe shkurt pritet të shënojnë pikun e fluksit të qarkullimit të këtij virusi në vendin tonë.
Mbrojtja
Pothuajse të gjitha poliklinikat e vendit janë pajisur me vaksinat specifike për t‘u mbrojtur nga virusi AH1N1. Mjekët janë konsideruar si një nga kategoritë më të rrezikuara për t‘u infektuar nga gripi i derrit, e megjithatë edhe ata kanë hezituar të vaksinohen. Nga ana tjetër, ata u bëjnë thirrje të gjitha kategorive të personave të vaksinohen, si një nga mënyrat më efikase për t‘u mbrojtur nga gripi i derrit. Sipas bluzave të bardha, ata që duhet të vaksinohen në mënyrë të menjëhershme janë pacientët kronikë. Shtatë prej viktimave që kanë vdekur deri tani në Shqipëri kanë qenë persona që vuanin nga sëmundjet kronike. Për këtë arsye, stafi mjekësor u drejton atyre thirrje të veçantë për t‘u treguar të kujdesshëm ndaj gripit të derrit. Ndërsa për ata që rezultojnë të infektuar nga ky virus, specialistët e shëndetit thonë se duhet të paktën të vaksinohen për të mos pasur pasoja të rënda në shëndetin e tyre.
Sh.Me.