E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana "dhuron" heshtje për festat e fundvitit

Dhjetori simbolizon muajin e festave të fundvitit. Atmosfera e ngrohtë festive ndihet kudo në botë, por jo në Tiranë. Prej disa javësh, shumë qytete e kryeqytete në mbarë botën po përjetojnë ndjesinë e bukur dhe të gëzueshme që përcjellin festat e fundvitit. Në kryeqytet atmosfera festive vazhdon të jetë e heshtur dhe e vakët, edhe pse na ndajnë vetëm pesë ditë nga nata e madhe e Vitit të Ri. 31 dhjetori është ditë e rëndësishme për jetën e gjithsecilit prej nesh, pasi mbyllet një "kapitull", për t‘i lënë radhën një tjetri, me shpresën se do të jetë më i mbarë për të gjitha familjet shqiptare. E megjithatë Bashkia e Tiranës, ndryshe nga çdo vit tjetër, nuk është kujdesur për dekorimin e kryeqytetit. Sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së fondeve. Dritat dhe disa prej zbukurimeve që janë vendosur deri tani në qendrën e Tiranës u përkasin disa viteve më parë. Ngrohtësia dhe emocionet e ditëve të fundit që na ndajnë nga nata e madhe e ndërrimit të viteve, përveç ambienteve të ngushta familjare, ndihen në kafene, qendra tregtare, apo institucione shtetërore. Gara për të zbukuruar ambientin sa më mirë nuk ka qenë vetëm e bizneseve. Këtë vit, gara është zhvendosur edhe mes institucioneve shtetërore, të cilat kanë zbukuruar ambientet e tyre të jashtme për t‘u uruar mirëseardhjen festave të fundvitit.

Sh.Me.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›