E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Rikthehet frika e terrorizmit, rriten masat e sigurisë së fluturimeve

Ankthi i terrorizmit është rikthye sërish në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë prag festash. Umar Faruk Abdulmutallab, pasagjeri nigerian i një avioni të "Northwest Airlines", në fluturimin nga Amsterdami në Detroit tentoi të hidhte në erë avionin para se të ulej në pistë. Atentatori, një student 23-vjeçar për inxhinieri në Londër, u përpoq të aktivizonte një lëndë eksplozive në avionin me 278 persona në bord, por veprimi i tij u neutralizua nga disa pasagjerë dhe ekuipazhi. Avioni arriti të ulej pa asnjë problem, ndërsa personi i dyshuar u arrestua dhe u mor menjëherë në pyetje nga policia. Ngjarja provokoi një alarm të madh në vend, dhe Presidenti Barak Obama koordinoi nga Havai, ku gjendet me pushime, një mbledhje urgjente për sigurinë. Shtëpia e Bardhë ka folur për një tentativë për akt terrorist dhe SHBA-të u kanë kërkuar kompanive ajrore të gjithë botës të marrin masa sigurie shtesë. Hetime po zhvillohen edhe në Londër, ku atentatori studion për inxhinieri, por edhe në Nigeri, vendlindjen e autorit. "Jemi në kontakt me autoritetet amerikane dhe hetime po bëhen edhe në Londër", saktësoi një zëdhënës i Scotland Yard. Sipas asaj që raportuan agjencitë e lajmeve, avioni i "Northwest Airlines", administruar nga "Delta", kishte nisur uljen në Detroit kur një burrë me ngjyrë është përpjekur të aktivizojë lëndë shpërthyese. Fillimisht u vu re një flakë që më pas u ndoq nga tymi. Dikush i bërtiti "Çfarë je duke bërë", ndërkohë që djaloshi i kishte pantallonat në flakë. Pasagjerët dhe ekuipazhi arritën të neutralizonin në kohë veprimet e tij. Për shumë prej tyre ky ishte një moment paniku, ndërsa disa të tjerë nuk kishin kuptuar asgjë.

Richelle Keepman, që ishte mes pasagjerëve, ka thënë për "Nbc News" se tentativa për të hedhur avionin në erë ka qenë e frikshme. "Ishin momente të frikshme. Të gjithë po mendonim se nuk do të arrinim të uleshim në pistë". Një tjetër pasagjere,

Melinda Dennis, tha se "terroristi" kishte mbetur i plagosur rëndë: "E kishte gjithë këmbën e djegur. Kërkuam ujë për t‘i shuar flakët", tha ajo për "Nbc". 23-vjeçari që pësoi djegie të shumta në trup, u transferua menjëherë në spital, ku tha se ishte anëtar i "Al Qaedas". Eksplozivin e kishte siguruar në Jemen, ku kishte marrë edhe udhëzime për mënyrën e përdorimit. Sipas vizës së tij hyrëse të lëshuar në 16 qershor, ai po udhëtonte nga Nigeria në SHBA për të marrë pjesë në një ceremoni fetare. FBI është duke hetuar mbi ngjarjen, ndërkohë që pasagjerët që ndodheshin afër tij, janë pyetur hollësisht mbi atë çka ktheu frikën e një sulmi terrorist. Sipas hetuesve, Abdulmutallab ishte nisur nga Laosi për në Amsterdam, e prej aty mori avionin për në Detroit. Në aeroportin holandez kishte kaluar kontrollet e sigurisë pa ngjallur asnjë dyshim. Ka shumë mundësi që mjeti shpërthyes të ishte i ndarë në dy pjesë, i formuar nga lëng dhe pluhur, duke u shpëtuar detektorëve metalikë. Burime amerikane kanë bërë me dije se nigeriani ishte përcaktuar në një databazë si një element shumë afër ambienteve integraliste. Nuk është e qartë nëse policia holandeze ishte në dijeni të këtij informacioni. Ndërkaq, Presidenti Barak Obama është njoftuar menjëherë për atë çka ka ndodhur nga këshilltarët e tij ushtarakë dhe sipas zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, ka dhënë urdhër që të merren të gjitha masat e nevojshme për të forcuar sigurinë e fluturimeve ajrore. "SHBA-të u kanë kërkuar të gjitha kompanive ajrore në botë të forcojnë masat e sigurisë për udhëtimet. Masat e përforcuara të sigurisë do të aplikohen në të gjithë avionët e botës që u drejtohen SHBA-ve për një periudhë kohe të pakufizuar", lexohet në komunikatën e shpërndarë nga Enti i Koordinimit Anti-terrorizëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›