Ulja e pragut të TVSH mund të rrisë çmimet me 4-6 për qind
Skema e re e TVSH-së që parashikon uljen e pragut për biznesin e vogël, nga 8 në 5 milionë lekë xhiro në vit, pritet të ketë ndikime si për tregtarët dhe për konsumatorët. Ekspertë dhe ish-drejtues të tatimeve shpjegojnë se skema do të rrisë detyrimet fiskale ndaj bizneseve të vogla, të cilat kanë vetëm dy rrugë: të falimentojnë ose të rrisin çmimet, për t‘ia përcjellë barrën fiskale konsumatorit.
Xhavit Curri, ish-nëndrejtori i përgjithshëm i Tatimeve, përllogarit se sa rriten taksat për një biznes, i cili në një vit realizon 6 milionë lekë të ardhura dhe ka 5 milionë lekë shpenzime, duke fituar 1 milion lekë.
"Ky biznes do të detyrohet të paguajë përveç tatimit të thjeshtuar mbi xhiron prej 100 mijë lekësh, edhe 200 mijë lekë të tjera Tatim mbi Vlerën e Shtuar", thotë Curri. Në këtë pikë, biznesit të vogël mund t‘i reduktohen me 20 për qind fitimet bruto. Ky është rasti nëse biznesi nuk do të rrisë çmimet. Por ka disa ekspertë që mbrojnë tezën e dytë, atë që barra fiskale e biznesit nuk do të rritet, por fatura e taksave shtesë do t‘u ngarkohet qytetarëve përmes rritjes së çmimeve. I njëjti biznes i marrë shembull më sipër, do t‘i duhet tashmë të realizojë 200 mijë lekë të ardhura më shumë, për të mos cenuar fitimin e tij, gjë që do ta detyrojë të rrisë të gjitha çmimet e produkteve që shet mesatarisht me 3.5 për qind.
Disa eksperte taksash përllogarisin se të gjitha bizneseve me xhiro vjetore nga 5 deri në 8 milionë lekë do t‘u duhet që të rrisin mesatarisht me 4 deri në 6 për çmimet për të gjitha produktet që shesin nëse duan të mbajnë të pacenuar fitimin aktual. E thënë ndryshe, kjo masë e qeverisë në finale do të ketë një nga dy efekte të padëshirueshme, ose të ulë fitimet e bizneseve të vogla, me xhiro nga 5-8 milionë lekë, ose do të sjellë një rritje jo të vogël çmimesh në treg, që mund të jetë 4-6 për qind.
TCH