E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermani,drekë bamirësie për të pastrehët

Më shumë se 450 të pastrehë dhe njerëz në nevojë kanë marrë pjesë në një drekë bamirësie në Këln të Gjermanisë, disa orë përpara festimeve tradicionale gjermane për Krishtlindjet me pemën dhe shkëmbimin e dhuratave. Kisha evangjelike e Këlnit ka organizuar dreka çdo vit, por këtë herë mbajtja e drekës nuk u paralajmërua sepse edhe gjatë viteve të kaluara numri i madh i mysafirëve ishte vështirë të menaxhohej. Të pastrehët e qytetit dhe të varfrit kanë pritur në radhë që në orën 9:30 të mëngjesit, kur u hapën portat e kishës. 72 vjecari Hedi Rahbar, që ka qenë vullnetar për 10 vjet, tha se çdo Krishtlindje, vijnë më shumë persona. "Ne vullnetarët u takuam këtë mëngjes për të përgatitur gjithcka, ne po shpërndajmë dhurata dhe po këndojmë këngë sëbashku. Thjesht, është një atmosferë e mrekullueshme", u shpreh ai. Një ditë para drekës, vullnetarët paketuan rreth 450 dhurata për nevojëtarët, që i morën ato pas drekës. Pakot me dhurata, donacione nga organizatat kishtare dhe rrjetet e supermarketeve, përmbanin çokollata, djathë, sallam, etj. "Mendoj se shumë njerëz u gëzuan, por disa të tjerë jo, sepse nuk kishte dhurata për të gjithë. Ne kishim më shumë persona se vitin e kaluar", shtoi një tjetër vullnetar. Sipas një studimi të bërë nga Organizata Ekonomike për Bashkëpunim dhe Zhvillim, numri i njerëzve të pastrehë dhe të varfër është rritur në Gjermani kohët e fundit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›