Iran,protesta mbështetëse për gazetarin

Qindra studentë iranianë janë mbledhur duke protestuar të mërkurën përballë ish-ambasadës së SHBA-së në Teheran, në mbështetje të gazetarit irakian që i gjuajti me këpucë Presidentit amerikan Xhorxh Bush. Gazetari irakian Muntazer al Zaidi, që i gjuajti me këpucë Presidentit aktual të SHBA-së Bush, shihet si hero në disa kombe arabe, por ai po përballet me një gjyq dhe burg të mundshëm nëse dënohet. "Lëvizja jonë si studentë është simbolike dhe shpreh urrejtjen e zemërimin e kombit mysliman iranian, si përfaqësues të myslimanëve në mbarë botën. Studentët shprehën urrejtjen ndaj masave të marra nga Amerika dhe strategjitë e saj karshi vendeve të tjera të botës", u shpreh Rahim Asadi, njëri nga studentët protestues. Protestuesit e mbledhur para ish-ambasadës amerikane mbanin në duar slogane si, "Vdekje Amerikës", apo "Vdekje Izraelit". Zona ku u zhvillua protesta e studentëve iranianë ishte ajo e ish-ambasadës amerikane, e cila u pushtua nga studentët iranianë në vitin 1979, pas Revolucionit Islamik. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Iranin në vitin 1980.