E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermanisht edhe në shkollat “Fan Noli”, “Avni Rustemi” dhe “Jeronim De Rada”

Shqipëria dhe Gjermania nënshkruajnë Memorandumin e Mirëkuptimit për hapjen e seksionit dygjuhësh shqip-gjermanisht në gjimnazin “Sami Frashëri” Nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë, duke nisur nga viti shkollor i ardhshëm do të mund të regjistrohen në seksionin dy gjuhësh shqip-gjermanisht. Ministri i Arsimit dhe Shkencës z.Fatos Beja dhe Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë z.Bernd Borchardt nënshkruan dje në MASH një Memorandum Bashkëpunimi për hapjen e një seksioni dygjuhësh gjermano-shqiptar në gjimnazin e kryeqytetit. Ky seksion, krahas mësimit intensiv të gjermanishtes përfshin dhe mësimdhënien e lëndëve të caktuara në gjuhën gjermane, si matematikë, gjeografi, fizikë dhe kimi. Në fund të shkollës këta nxënës kanë mundësi të japin provimet e maturës në shqip dhe gjermanisht. Gjithashtu, gjuha e huaj gjermanisht, do të ofrohet edhe në shkollat 9-vjeçare“Fan Noli”, “Avni Rustemi” dhe “Jeronim De Rada”. Ministri Beja vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjes duke theksuar se nxënësit që mbarojnë këtë seksion dygjuhësh i bëjnë lëndët edhe në shqip edhe në gjermanisht dhe në fund të studimit, përveç Dëftesës Shqiptare të Pjekurisë marrin edhe një Diplomë e Gjuhës Gjermane, që certifikon marrjen e njohurive në gjuhën gjermane sipas standardit gjerman. Me këtë marrëveshje shtrihet hapësira e pjesëmarrjes së nxënësve dhe në tre shkolla 9-vjeçare të cilat do të furnizojnë gjimnazin me nxënës që kanë bërë gjermanisht më shumë orë se sa në shkollat e tjera. Gjermanishtja është një nga pesë gjuhët e BE-së, e cila mësohet në shkollat tona. Mësohet edhe në shkollat e gjuhëve të huaja në disa qytete të Shqipërisë. Ne duam që ta shtrijmë këtë gjuhë në sa më shumë shkolla në mënyrë që të jetë një ofertë për një shumicë nxënësish shqiptarë në gjithë qytetet e Shqipërisë, krahas gjuhëve të huaja si anglishtja, frëngjishtja, italishtja, spanjishtja, Ambicia jonë është që të gjithë nxënësit shqiptarë, të cilët mbarojnë shkollën e mesme, të jenë në gjendje të komunikojnë në dy gjuhë të Bashkimit Evropian. Unë ju them se në katër vitet e ardhshme do të ketë përsëri një vëmendje të veçantë në mënyrë që nxënësit shqiptarë të përmirësojnë aftësitë e tyre në të folurit e gjuhëve të huaja. Dhe objektivi është që diplomat, dëftesat që do të marrin do të jenë të përputhshme me kuadrin e referencës evropiane të gjuhëve. Kjo lehtëson që nxënësit shqiptarë të mund të vijojnë studimet në të gjitha vendet e Evropës, njëkohësisht lehtëson dhe proceset integruese të Shqipërisë. Ne kemi nevojë për njerëz të aftë dhe Shqipëria do të kapërcejë trashëgiminë e dobët për të fituar me shpejtësi kohën e humbur dhe për të zënë vendin që i takon midis vendeve të tjera të familjes evropiane. Duke falenderuar ambasadorin gjerman për përpjekjen dhe ndihmën që ka dhënë Ambasada për gjermanishten në shkollat tona. Ministri Beja e falenderoi ambasadorin edhe për tekstet e lëndëve shkencore të gjimnazit, të ofruara së fundi, në kuadrin e përpjekjeve që bën MASH-i për futjen e teksteve të lëndëve shkencore të gjimnazit nga vendet e BE me arsim të konsoliduar dhe në përputhje me programet e kurrikulat e miratuara nga shteti shqiptar. Ndërsa Ambasadori Borchardt vlerësoi mundësinë që po i hapet gjermanishtes në shkollat shqiptare si një gjuhë që flitet si gjuhë amtare nga pothuaj ¼ e vendeve të BE-së dhe si gjuha e dytë më e rëndësishme zyrtare brenda BE-së. “Prej pak më tepër se 2 javësh, -tha ambasadori, - vendet tona janë partnere në kuadër të NATO-s dhe mendoj se në një të ardhme të parashikueshme e të afërt do të jemi edhe partnerë në kuadër të BE-së. Kjo rrit nevojën reciproke për t’u kuptuar dhe mirëkuptuar bashkërisht nga pikëpamja gjuhësore. Mirëkuptimi i përbashkët është më i mundshëm nëpërmjet gjuhëve reciproke. Bashkimi Evropian dhe NATO janë organizata me më tepër se sa 20 anëtarë dhe sigurojnë bashkëjetesën e tyre nëpërmjet kompromiseve të zgjedhura midis vendeve anëtare. Dhe kompromiset janë të mundshme vetëm atëherë kur partneri në bashkëbisedim kuptohet. Edhe për këtë, zotërimi i gjuhës është një kusht paraprak thelbësor. Një motiv tjetër mjaft i rëndësishëm në kuadër të këtij programi është mbështetja e rinisë në Shqipëri. Jemi të vetëdijshëm për faktin se shumë të rinj të këtij vendi kanë pasur mundësi gjatë këtyre viteve të lidhin kontakte të ngushta me vende të tjera. Por ne duam të ndryshojmë këtë për më mirë duke ngritur këtë seksion dygjuhësh. Unë ju jam ju, z.Ministër dhe të nderuar kolegë, shumë mirënjohës për punën e madhe që keni investuar në kuadër të këtyre përpjekjeve. Dhe jam shumë optimist që me këtë marrëveshje kemi vendosur një të ardhme solide në bashkëpunimin tonë".

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›