Fshati Liqenas, ndryshon emër, Pustec

Miratohet nisma e deputetit të PD-së, Edmond Spaho, për ndryshimin e emrit të fshatit minoritar nga Liqenas në Pustec
Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi sot projektligjin "Për ndryshimin e emrit të fshatit minoritar Liqenas në Pustec". Ky ndryshim është propozim i deputetit të PD-së, Edmond Spaho, aktualisht anëtar i komisionit të Ekonomisë në parlament. Z. Spaho, në cilësinë e deputetit të kësaj zone, sjell në parlement këtë nismë ligjore, pas një peticioni të bërë nga ky minoritet maqedonasish, i cili kërkon ta quajë vendbanimin e tij me emrin e mëparshëm. Sipas relacionit të p/ligjit, "një nismë e tillë vjen edhe si një detyrim i shtetit shqiptar për të respektuar të drejtat e pakicave kombëtare në vendin tonë". Fshati Liqenas shtrihet buzë liqenit të Prespës së Vogël, në qarkun e Korçës, dhe është qendra e komunës me 3500 banorë, me popullsi maqedonase dhe që mban të njëjtin emër. Sipas relacionit, ndryshimi i emrit të fshatit është bërë në vitin 1970, me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor të asaj kohe. Në kuadër të luftës kundër ndikimeve të huaja, pushteti i atëhershëm vendosi që ta ndryshojë emrin nga Pustec, në Liqenas. Ndërkohë që, me ardhjen e pluralizmit dhe me rikthimin e të drejtave themelore të njeriut dhe të minoriteteve, popullsia e kësaj zone vazhdimisht ka bërë përpjekje për të kthyer toponimet autentike të fshatrave, midis të cilave edhe fshatin më kryesor të kësaj zone, Pustec. Për këtë, banorët kanë nënshkruar një peticion, i cili është nënshkruar edhe nga Këshilli i Komunës.
...