UBT mbështet zhvillimin Rural

Zhvillon punimet në Universitetin Bujqësor të Tiranës, "Konferenca Shkencore për efiçencën e fermës"
Në ambjentet e Universitetit Bujqësor të Tiranës, u organizua sot konferenca shkencore për rritjen e efiçencës së fermës bujqësore dhe konkurrueshmërinë e saj, ku ishin të pranishëm studjues, specialistë të bujqësisë nga institucionet e ndryshme si dhe ekspertë të huaj nga programet e huaja që zbatohen në vendin tonë. Prof. Dr. Fatos Harizaj, rektor i Univesitetit Bujqësor të Tiranës, tha se, "UBT-ja, i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për të ndikuar në zhvillimin e bujqësisë në vendin tonë". Sipas tij, riorganizimi i kërkimit shkencor në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit rural, ka bërë që UBT, sot të ofrojë në kuadrin e një detyrimi kombëtar, mbështetjen reale për zgjidhjen e problemeve në fermën bujqësore. Duke u ndalur në propozime konkrete, Harizaj, theksoi se, "faktorët që ndikojnë në efiçencën e fermës duhen qartësuar dhe roli i aktorëve privatë dhe atyre publikë duhet të bashkohen në zgjidhjen e problemeve që ka bujqësia sot”. Gjatë punimeve të kësaj konference u trajtuan ndër të tjera dhe problemet aktuale me të cilat përballet bujqësia dhe zhvillimi rural në vendin tonë si dhe u sugjeruan rrugët e zgjidhjes. Referues të ndryshëm, u ndalën në rritjen e subvencionit të fermës dhe bujqësisë, në kooperimin dhe krijimin e bashkësive bujqësore si dhe në forcimin e lidhjeve midis bujqësisë dhe agroindustrisë, të cilat do të ndikojnë në shtimin e prodhimit bujqësor vendas dhe uljen e varfërisë në zonat rurale.
...