Gjestet ndaj arbitrave, Murinjo pezullohet 3 ndeshje
ROME- Gjykatësi Sportiv i Federatës Italiane të Futbollit ka skualifikuar për tre ndeshje dhe gjobitur me 40 mijë euro trajnerin e Interit Zhoze Murinjo, për shkak të gjesteve të tij në ndeshjen e së shtunës kundër Sampdorias, që përfundoi 0-0. Shenja e prangave e bërë nga tekniku portugez dhe kontestimet e vazhdueshme të tij ndaj arbitrit Taljavento, kanë çuar në një reagim të fortë të drejtuesve të Federatës. Murinjo ka lëshuar akuza të forta edhe në tunelin e stadiumit, në pushimin midis pjesëve. Po kështu, janë skualifikuar nga dy ndeshje Kambiaso dhe Muntari, që në këtë takim nuk u ndëshkuan me karton të kuq. Ganezi ka bërë një shprehje fyese ndaj gjyqtarëve në momentin e daljes nga fusha, ndërsa argjentinasi ka tentuar të godasë me grusht një futbollist të Sampdorias në tunel. Por, asgjë nuk ka mbaruar këtu, pasi edhe dirigjenti i Interit Gabriele Oriali është pezulluar deri më 8 mars dhe gjobitur me 10 mijë euro, ndërkohë që klubi zikaltër ka marrë një gjobë prej 25 mijë eurosh. Pas këtyre masave tepër të rënda, që vijnë vetëm dy ditë para sfidës me çelsin, ka qenë i menjëhershëm reagimi i presidentit Morati dhe vetë Murinjo. “Nuk i prisja këto masa kaq të forta”, ka thënë kreu zikaltër. Ndërkohë, Murinjo, nëpërmjet zëdhënësit për shtyp tha se gjesti i tij është keqkuptuar dhe se nuk i drejtohej arbitrit. “Doja të thosha se edhe i arrestuar dhe me 9 vetë, ne sërish jemi të pamposhtur”, u shpreh tekniku portugez.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)