Maqedoni, tekstet shkollore evitojnë Kosovën
"Gafat" e Shkupit zyrtar në lidhje me shqiptarët dhe ekzistencën e tyre në rajon nuk janë kufizuar vetëm tek e shumëpërfolura enciklopedi, por edhe në tekstet shkollore të fillores. Kështu, në tekstet e reja të lëndës "Shoqëria", të botuara në vitin 2009, nxënësit ende mësojnë se Maqedonia në pjesën veriore të saj kufizohet vetëm me Serbinë. Kosova nuk figuron askund si fqinj i Maqedonisë, edhe pse Shkupi e ka njohur si shtet Kosovën në vitin 2008, një vit para botimit të këtyre teksteve. Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë e konsideron këtë një gabim të madh, që duhet të përmirësohet patjetër. Por gabimet të tilla në tekstet shkollore nuk janë bërë vetëm në raport me Kosovën. Edhe toponimet shqiptare brenda Maqedonisë nuk kanë qenë të sakta. Shqiptarët e Maqedonisë, edhe pse fizikisht punojnë në institucione kompetente për çështje arsimore apo politike, duket se realisht nuk kanë fuqi të ndryshojnë gjërat. Sipas mediave, Byroja për zhvillimin e arsimit, e ka pranuar gabimin e bërë, por ia delegojnë fajin për këtë, shërbimit pedagogjik të Ministrisë. Zv/drejtoresha e Byrosë, Aishe Selmani është shprehur në media se "Botimi i librave nuk është kompetencë e Byrosë, pasi ato bëhen në shërbimin pedagogjik pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës". Ajo ka shtuar se nuk mund të vlerësojë nëse gabimi është i qëllimshëm apo jo, por ka pranuar se çështja është delikate pasi Kosova nuk mund të anashkalohet si shtet fqinj i Maqedonisë. "Byroja për zhvillimin e arsimit përgatit programet dhe në bazë të atyre programeve, botohen librat. Por, sipas të gjitha gjasave, ai libër ka mbetur i pandryshuar, ka mbetur me po atë program para se Kosova të pranohet shtet, pra mund të jetë një lëshim", përfundoi ajo.