Papandreu paralajmëron Evropën për ekonominë, ndihma nga eurozona
Kryeministri i Greqisë, Jorgo Papandreu ka paralajmëruar Evropën, se problemet ekonomike të vendit të tij mund të përhapen duke infektuar dhe vende të tjera. Ndërkohë ministrja franceze e financave, Christine Lagarde mendon se problemet fiskale të Greqisë duhet të zgjidhen brenda eurozonës dhe jo Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ndërkohë ministria gjermane e financave ka përpiluar një plan në të cilin vendet që përdorin monedhën euro do të sigurojnë ndihmë me vlerë 20-25 miliardë euro për Greqinë. Sipas së përjavshmes gjermane, "Der Spiegel", "konsideratat fillestare nga ministria kërkojnë ndarjen e ndihmës financiare për Greqinë në një llogaritje sipas proporcionit të kapitalit të secilit vend në Bankën Qendrore Evropiane. Në një intervistë për kanalin televiziv të BBC-së, Papandreu e ka përshkruar këtë periudhë si një prej momenteve më të vështira të historisë bashkëkohore të Greqisë. Por ndërsa vendi i tij ndodhet në epiqendër të diskutimeve nervoze rreth shëndetit të ekonomisë evropiane në përgjithësi, nuk beson se Greqia duhet veçuar. Sipas Papandreut, Greqia duhet lejuar që të marrë hua me të njëjtën kamatë si vendet e tjera, dhe qeverisë së tij i nevojitet mbështetje politike, jo financiare, për të demonstruar se sërish mund t'i besohet. Ai paralajmëroi për pasoja serioze nëse Greqisë i mohohet asistenca. "Ne jemi një vend që nuk mund t'i përballim spekulimet të vetëm. Kështu që ky është bërë një problem evropian. Nëse ne kemi një problem të madh, ai mund të infektojë dhe vende të tjera të cilat nuk duhen fajësuar", tha ai. Monedhës së përbashkët evropiane nuk i është dashur më parë të përballet me ndonjë krizë globale të ekonomisë. Papandreu tha se hollësirat për mjetet financiare që do të çonin në zgjidhjen e krizës ende nuk janë gjetur, por ai shprehu optimizëm se sfidat mund të çojnë në rezultat pozitiv. "Tani jemi në fazën laboratorike dhe le të shpresojmë që ky eksperiment të jetë i suksesshëm për Evropën duke vënë në sprovë unitetin e Evropës në një mënyrë pozitive", tha ai. (BBC, Reuters)