E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjesti i prangave, pezullohet 3 javë Mourinjo

I kushton shtrenjtë Jose Mourinjos gjesti i prangave gjatë ndeshjes Inter-Sampdoria. Trajneri zikaltër është skualifikuar për tre javë nga Disiplinori italian "për kontestim të vendimeve të gjyqtarëve me sjellje të pahijshme, veçanërisht duke bërë me gjeste në minutën e 35' të pjesës së parë dhe në të 10' të së dytës, prangat me pulset e kryqëzuar, shoqëruar me krahët e drejtuar nga publiku dhe nga telekamerat e pranishme në anë të fushës". Portugezi do të duhet të shohë nga tribuna ndeshjet e kampionatit kundër Udinezes, Genoas dhe Catanias. Mourinjo është dënuar edhe për "shprehjet e papërshtatshme" në adresë të gjyqtarit Tagliavento dhe asistenteve "në interval, gjatë nënkalimit drejt dhomave të zhveshjes", si dhe për faktin që "ka kontestuar vazhdimisht praninë e bashkëpunëtorëve të Prokurorisë federale, të sistemuar afër pankinave të të dyja skuadrave" gjatë ndeshjes. Gjithashtu, në ndëshkimin e trajnerit ka rënduar edhe fakti se xhestet dhe kontestimet i ka përsëritur edhe herë të tjera.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›