"Gjethe që bien", cirk në Teatrin e Metropolit
Paraditen e së shtunës, më 19 tetor, cirku i Teatrit të Metropolit hap dyert për të gjithë admiruesit e këtij arti. "Gjethe që bien" titullohet shfaqja që do t‘i serviret publikut. Ajo është konceptuar në një formë të re, që do të jetë në program duke filluar nga 19 shtatori 2009 deri më 22 nëntor 2009. Janë bërë pothuajse 50 vjet që nga krijimi për herë të parë i cirkut shqiptar dhe që nga ajo kohë artistë të moshave të ndryshme kanë bërë për vete publikun me talentin dhe guximin e tyre. Numra të paharrueshëm për nivelin artistik dhe shkallën e rrezikshmërisë kanë ngelur në kujtesën e publikut. Kështu, në pritje të 50-vjetorit të krijimit të cirkut është realizuar një përmbledhje e numrave më të mirë ndër vite, të cilët do të vijnë të ripunuar në premierën "Gjethe që bien". Si në një mozaik do të paraqiten numrat e ajrit, akrobacisë, plastikës, xhonglimit, numrat e shpejtësisë dhe klounatës. Do të ngjiten edhe një herë në arenë "Fjongoja fluturuese", "Klasa e qeneve", "Basketbollisti zhongler", "Plastika - vajza e kabaresë", si edhe numra humoristikë të klounëve. Edhe fëmijët e grupit "Spektër" do të jenë pjesë e spektaklit. Mjeshtri Fatos Roshi është kujdesur për anën artistike të spektaklit, ndërsa do të interpretojnë në skenë akrobatët Manushaqe Mullai, Sokrat Buzo, Gentian Dollaku, Juxhina Madhi, Pranvera Sallata, Fitnete Duro, Xhejms Kodra dhe Novruz Hyseni.