Zbulohen monedha të sundimit bizantin
Zbulime të reja gjatë gërmimeve arkeologjike në Amfiteatrin e lashtë të Durrësit. Të nisura veç pak ditë më parë, në fillim të kësaj jave, gërmimet e misionit arkeologjik italo-shqiptar të radhës në këtë objekt të rëndësishëm të Antikitetit kanë dhënë frytet e tyre. Dy monedha që mendohet se i përkasin mesit të shekullit XIII dhe se janë derdhur në ndonjë nga punishtet e qytetit janë gjetur gjatë rifillimit të ekspeditës arkeologjike në amfiteatrin që ende nuk ka dalë i plotë në dritë. Lajmi është dhënë nga arkeologët që kanë vijuar me ekspeditat gërmuese dhe evidentuese, duke nxjerrë në pah herë pas here të vërtetat e një të kaluare që është varrosur nga koha dhe pamundësia e shtetit shqiptar për të financuar gërmimet dhe hapur rrugën e zotërimit të monumentit të plotë. Monedhat, sipas specialistëve italianë, janë vlerësuar si të ndryshme nga ato të zbuluara gjatë ekspeditave të para në pjesën jugore të amfiteatrit, ndonëse janë gjetur në të njëjtin shtresëzim të rrënojave të pallatit mesjetar të zbuluar aty. Ato mendohet se janë derdhur ose në Durrës, ose në Korfuz, në gjysmën e dytë të shekullit XIII. Monedhat kanë një diametër prej afro 22 milimetra dhe kanë një përqindje të vogël argjendi në përbërjen e tyre. Nga këqyrja e tyre rezulton se ato i përkasin sundimtarit të fundit bizantin, Manfredit. Historia tregon se sovrani i Sicilisë, Manfredi, në fund të vitit 1257 zbarkoi dhe pushtoi Durrësin, Beratin e Kaninën dhe despoti Mihali II Engjëlli i dha të bijën Helena për grua. Bashkë me të Manfredi zgjeroi zotërimin në trevat shqiptare, duke marrë si pajë të saj edhe Himarën, Butrintin e Korfuzin. Në vitin 1266 Manfredi vritet në betejë. Në këtë hark kohor mendohet se janë derdhur edhe monedhat, që janë zbulimi më i fundit i ekspeditës arkeologjike në amfiteatrin antik që ruan shtresëzime të kohëve të ndryshme në nëntokën që ka nisur të shfaqet pak nga pak. Në anën e përparme monedhat kanë simbolin e dinastisë Svevo, shqiponjës, ndërsa në anën e pasme një kryq me yje. Gjatë misioneve paraardhëse, pikërisht në misionin IV të realizuar në verën e 2007-s, në këtë nivel, mes rrënojave të godinës mesjetare u zbuluan edhe eshtrat e 4 skeleteve, që mendohet se i përkasin një familjeje mesjetare durrsake, viktimë e tërmetit që goditi Durrësin mesjetar në vitin 1273. Edhe dy vite të shkuara janë gjetur monedha dhe metale të tjera, si edhe enë qeramike. Dalëngadalë po sqarohet historia që e shndërroi monumentin nga një objekt të braktisur dhe më pas varrezë dhe objekt fetar, në një lagje bizantine. Zbulimet po ekzaminohen për të zbardhur modelin e jetesës, gjendjen shëndetësore të banorëve të Mesjetës e shumë detaje të tjera për të ndërtuar të plotë historinë e atyre kohëve. Ekspedita e fundit do të zgjasë 3 javë dhe ashtu si të tjerat është bashkëpunim mes arkeologëve italianë dhe shqiptarë, si edhe studentëve të universiteteve të Parmës e Tiranës.