Gjetja e pesëvjeçarit të rrëmbyer, meritë e PK'së
(E plotësuar) Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka deklaruar se gjetja e pesëvjeçarit të rrëmbyer është meritë e Policisë së Kosovës.
Ai ka thënë për KlanKosova se Policia ka mbyllur të gjitha daljet e Prishtinës duke ia pamundësuar keqbërësve të ikin me pesëvjeçarin e rrëmbyer.
Sipas tij, kjo edhe ka detyruar ata që ta lënë të lirë fëmijën në rrugë, në lagjen Dardania.
Gjendet fëmija i rrëmbyer
Policia e Kosovës ka njoftuar se pesëvjeçari i rrëmbyer sot në mëngjes në shtëpinë e tij, në Bregun e Diellit, është gjetur dhe kthyer në familje.
“Gjendja shëndetësore e tij është e mirë”, thuhet në njoftimin e policisë, shpërndarë medieve, sot pasdite.
Për shkak “të natyrës sensitive” të rastit, policia thotë se aktualisht nuk mund të bëjë publike detaje të hetimeve.
Por burime nga policia bënë të ditur për Express se rrëmbyesit e kanë lënë të lirë fëmijën në rrugë, në lagjen Dardania.
Kidnapohet një fëmijë
Persona të paidentifikuar kanë sulmuar një familje, dhe më pas kanë kidnapuar edhe djalin e tyre pesëvjeçar.
Kidnapimi kanë ndodhur në orën 7:30 minuta në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.
Mësohet se fëmija është i gjinisë mashkull, ndërkaq babai i tij është Skënder Zatriqi dhe punon si kirurg në QKU.
Policia është në vendin e ngjarjes dhe ende nuk ka dhënë informacione me të detajuara për këtë ngjarje.