E Diel, 1 Nëntor 2026

Sektori i teknologjisë, fituesi më i madh në bursat evropiane

Nga Express më 03 mars 2011 në ora 20:43

Indekset e bursave evropiane të enjten janë forcuar, pas indikacioneve të mira nga SHBA-të që kanë shtuar optimizmin lidhur me rritjen ekonomike globale, me ç’rast fituesi më i madh është sektori i teknologjisë.

Mbështetje indekseve u ka dhënë edhe rënia e çmimit të naftës, kurse në disponimin e mirë të investuesve kanë ndikuar të dhënat për rritjen në sektorin e shërbimeve të eurozonës në shkurt, të cilat kanë arritur shkallën më të lartë që nga gushti i vitit 2007.

Inkurajuese kanë qenë edhe të dhënat më të mira se sa pritje lidhur me rritjen e punësimit në sektorin privat amerikan.

Aksionet e firmave të teknologjisë ishin fituesit më të mëdhenj, të prirë nga “Alcatel-Lucent”, aksionet e së cilës janë ngritur 9,4 për qind, për shkak të ofertave potenciale të një kompanie kineze. Zëdhënësja e kompanisë ka refuzuar të komentojë ofertën. Në këtë sektor ngritje aksionesh ka pasur edhe “Ericsson” për 3,4 për qind.

Fituesi më i madh individual megjithatë ishte “Adecca”, njëra nga kompanitë lidere në botë në ndërmjetësimin e punësimit, për shkak të publikimit të rezultateve më të mira se sa pritej në tremujorin e fundit. Aksionet e kompanisë kanë shënuar ngritje 6,3 për qind.

Para përmbylljes së afarizmit për ditën e enjten, indeksi londinez FTSE 100 është në plus 1,42 për qind, DAX Frankfurt është në fitim 0,55, CAC 40 Paris 0,70 për qind. Në Uoll Strit, indeksi Dow Jones është në plus 1,33 për qind, Nasdaq është në ngritje 1,59 dhe S&P 500 është në fitim 1,30 për qind.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›