E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA: Akti i një individi nuk ndikon në miqësinë mes dy vendeve

Nga Express më 03 mars 2011 në ora 11:52

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, nëpërmes një deklarate për shtyp, i është bashkuar Qeverisë dhe popullit të Kosovës në dënimin e sulmit të djeshëm në Frankfurt - Gjermani, që mori jetën e dy amerikanëve dhe plagosjen e dy të tjerëve.

“Mendimet tona janë me ata që u plagosën dhe familjet dhe miqtë e të gjithë atyre që u preken nga kjo tragjedi. Ne shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve për këtë humbje”, thuhet në një deklaratë të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, lidhur me sulmin e djeshëm në Frankfurt.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, falënderon Qeverinë dhe Presidentin e Kosovës për deklaratat e tyre të ngushëllimit dhe të përkrahjes në këto çaste.

“Ne jemi të vetëdijshëm se populli i Kosovës është gjithashtu i tronditur me këtë krim neveritës që është një fyerje për vlerat dhe traditat e popullit shqiptare. Akti i një individi të vetëm nuk do të ndikoje në asnjë mënyrë në miqësinë e thellë dhe të qëndrueshme mes dy vendeve tona, ose në marrëdhënie jashtëzakonisht të ngrohtë dhe të ngushtë të popujve tanë dhe qeverive”, thekson deklarata.

Qytetarët janë të ftuar për të nënshkruar librin ngushëllimi në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, duke filluar nga dita e sotme prej orës 14-16, dhe nesër prej orës 10 - 16.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›