E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjici: Jo utopi, Kukësi mund të kalojë dhe një tur

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, menjëherë pas mbërritjes në Shqipëri, ka qenë i ftuar në një emision sportiv në "News 24", teksa ka deklaruar hapur ambicien tjetër tashmë: kalimin edhe të një turi tjetër në Ligën e Europës. "Nuk ka alternativë tjetër veç kualifikimit. Kemi ndeshjen e parë në Tiranë dhe e gjithë vëmendja duhet të përqendrohet te takimi. Punët bëhen me radhë dhe tani kemi përballë Metalurgun. Ne duhet të stërvitemi për ta eliminuar atë. Është objektiv madhor dhe unë jam mësuar që me punë e këmbëngulje t'i arrij objektivat. Festa për lojtarët dhe ekipin ka mbaruar. Të festojnë tifozët, ne do vijojmë punën për t'i kënaqur ata. E di që shkalla e vështirësisë është rritur edhe më shumë, por ne jemi mësuar tashmë me vështirësi. Nuk kanë besuar shumë vetë, por pak rëndësi ka. Unë besoj, po ashtu edhe futbollistët, stafi, madje edhe një pjesë e mirë e tifozëve, kështu që mjafton që të ecim para", - tha Gjici. Ndërsa në lidhje me projektin për të marrë klubin e Tiranës, Gjici u shpreh: "Unë kam paraqitur projektin tim. Por Tirana aktualisht ka shumë borxhe, detyrime të prapambetura në shifra të konsiderueshme. Nuk mund të përgjigjem për të shkuarën, kështu që ka probleme. Njëkohësisht, çdo investim i hedhur, duhet të më njihet në formë aksionesh, sado të vogla qofshin ato, ndryshe nuk ka kuptim. Nuk mund të jem thjesht një donator, dua që kur të investoj, t'ia kthej emrin e lavdishëm Tiranës."
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›