E Shtunë, 31 Tetor 2026

Josa: Do jetë më e vështirë se me Neftçin

Skënderbeu nuk ka kohë për të festuar, sepse transferta e Kazakistanit është pas dere dhe kampionët e Shqipërisë duhet të mendojnë për një tjetër përballje të dyfishtë. Ndeshja e turit të tretë paraeliminator të Champions League nxjerr në rrugën e skuadrës korçare, kampionët e Kazakistanit, Shakhter Karagandi, një skuadër e panjohur, por që eliminoi një emër të madh të futbollit lindor, si BATE Borisov. Për këtë arsye, trajneri Mirel Josa kërkon nga skuadra që ta harrojë suksesin ndaj Neftçi Baku. Tekniku 50-vjeçar e pranon se nuk ka informacion të mjaftueshëm për kundërshtarin, duke paralajmëruar një transfertë të vështirë në Kazakistan.
TRAJNERI JOSA
Në një lidhje telefonike për "News 24", trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, e ka cilësuar kundërshtarin e turit të tretë si më të fortë se ai që kaloi, teksa thotë: "Për mua Karagandi është më i fortë se Neftçi. Pse e them këtë? Kazakistanasit janë më ekip, janë më solidë, më të lidhur si grup dhe jo më kot eliminuan Borisovin. Neftçi kishte individualitete, kjo nuk mohohet, por kur një ekip është i lidhur, siç është Karagandi, mund të mposhtë këdo. Në këtë aspekt, unë e shoh përballjen më të vështirë. Kjo nuk do të thotë se ne nuk do tentojmë që të kualifikohemi. Do të kërkojmë, ashtu si në Azerbajxhan, të marrim një rezultat pozitiv. Vërtet do të bëjmë më shumë lojë mbrojtëse, por nuk do të thotë që nuk do të kundërsulmojmë ose sulmojmë. Një gol i yni do të ishte shumë pozitiv", - ka deklaruar trajneri Josa.
NDESHJA
Përballja e parë do të luhet më datë 30 korrik (ora 15:00) në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana. Ndeshja e kthimit do të luhet më 6 gusht, në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa", ndërsa orari i ndeshjes mbetet për t'u përcaktuar. Korçarët do të nisen sot drejt Kazakistanit, pasi distanca është e largët dhe do t'u duhet të rikuperojnë energjitë. Në rast kualifikimi, Skënderbeu ka mundësinë e artë për t'u bërë e para skuadër shqiptare që kualifikohet në fazën "play-off" të Champions League, që do të siguronte edhe të ardhura të mjaftueshme për arkën e klubit korçar. Kështu, në rast të një suksesi, ekipi i presidentit Takaj do të arkëtojë edhe 1.8 milionë euro shtesë, ku përfshihen të ardhurat nga FSHF-ja, e drejta televizive dhe UEFA. Por përveç të ardhurave, nëse kalohet ky tur, Skënderbeu edhe nëse do të eliminohej në "play-off", do të futej automatikisht në fazën e grupeve të Ligës së Europës, duke shkruar një tjetër histori.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›