E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjici: Kukësi do shkruajë emrin e tij edhe në Europë

Duke qenë se merr pjesë për herë të parë në një kompeticion në arenën europiane, faqja zyrtare e UEFA-s i kishte kushtuar një shkrim special ekipit të Kukësit, i cili si ekip debutues në Kategorinë Superiore, arriti të zërë vendin e dytë pas Skënderbeut. Por presidentit të Kukësit pak përshtypje i bëjnë këto elozhe tashmë. "Mbetën duke na quajtur debutues, ekipi surprizë dhe plot epitete të tjera. Për ne nuk ka shumë rëndësi, personalisht dhe të gjithë së bashku, rëndësi ka që jemi me këmbë në tokë dhe do të vijojmë të pasurojmë historinë e klubit të Kukësit. Madje më mirë që na quajnë të tillë dhe duke përdorur rolin e modestit, largojmë presionin mbi skuadrën dhe kështu ecim më të lirshëm në rrugën tonë", - është shprehur për "Gazetën Shqiptare" presidenti i Kukësit, Safet Gjici.
LIGA E EUROPËS
Ekipi i Kukësit është nisur sot në orët e para të mëngjesit drejt Estonisë, sepse nesër do të ndeshet me ekipin e kryeqytetit të këtij vendin, Talin. Verilindorët nuk e kanë ndryshuar grupin dhe janë bazuar tek ai ekip që mbylli sezonin. Numri një i klubit deklaron: "Edhe pse na kanë paragjykuar shumë dhe ndoshta ende na paragjykojnë, ne jemi bazuar vetëm në forcat tona dhe kështu do të vijojmë. Mirë apo keq, ne do të vijojmë me grupin që kishim, pasi sado blerje të bënim në këtë periudhë, nuk do të mundeshim të harmonizonim dot grupin. Unë kam besim te futbollistët e Kukësit, ishin ata që kanë mbajtur mbi shpatulla një sezon të suksesshëm dhe do të jenë sërish ata që do të përfaqësojnë me dinjitet ekipin në Europë".
OBJEKTIVI
Pavarësisht se merr pjesë për herë të parë në një garë europiane, ndoshta duke parë edhe shortin, presidenti i Kukësit plot besim është shprehur se turi i parë mund të kalohet dhe nuk do të ishte aspak surprizë, fundja ky është edhe objektivi kryesor. "Jemi ekip i vogël, është e vërtetë kjo, nuk kemi histori dhe jemi debutues në Europë, por të gjitha këto nuk na pengojnë të kërkojmë kalimin e turit të parë. Dhe këtë na e përforcon edhe kundërshtari që kemi përballë. Nuk themi se është ekip i lehtë, por shorti mund të na kishte vënë përballë një skuadër akoma më të fortë. Në takimin e parë në Estoni favoritë janë ata, plus faktit që janë ekip shtëpie dhe në fushën e tyre luajnë fort. Por ne do të kërkojmë të paktën të barazojmë, ose më e keqja të shënojmë gol. Jam i i bindur që kualifikimi do të vendoset në ndeshjen e kthimit. Për ndeshjen e dytë kemi kohë të flasim. Nuk i kërkoj ekipit ndonjë gjë të madhe, thjesht të bëjë lojën e tij, ashtu siç ka bërë pjesën më të madhe të sezonit. Kukësi do të shkruajë emrin e tij edhe në Europë, por këtë emër do ta shkruajë me kalim të një turi. Pastaj duke parë dhe duke bërë, për të hyrë pretendent në sezonin e ri në futbollin shqiptar, besoj kemi të drejtë", - përfundon presidenti Safet Gjici. 
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›