E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjigandet zvicerane nuk janë dëmtuar nga kriza, të paktën deri tani

Bankierë super të fuqishëm gjenden edhe në Zyrih, të njohur në qarqet e financës së lartë si "Zotërit e Universit". Është e lehtë t‘i dallosh thjesht duke u parë veturat private: "Porsche", "Audi", "BMW". E megjithatë, vërehet së fundmi se shumë makina të tilla, deri dje në zotërim të këtyre bosëve të financave, janë shitur te tregtarët e makinave të përdorura me çmime të nxituara, një shenjë e sigurt që kriza bankare ka mbërritur edhe në Zvicër.

"Do të jetë epiqendra financiare e Zvicrës ajo që do të vuajë më tepër", profetizon Bit Bërnet, ekspert bankar në Universitetin e Shën Galenit. Me kalimin e ditëve njerëzit po nisin të mendojnë të pamendueshmen: kolapsin e UBS-së, bankës më të rëndësishme në Evropë, njëherësh menaxhuesja më e madhe e parave në rang botëror.

Zviceranët janë detyruar një herë t‘i thonë lamtumirë një prej ikonave më të rëndësishme kombëtare. Banka "Swissair", shkëlqimi i së cilës u kishte garantuar dikur nofkën "banka fluturuese", u mbyll në vitin 2001. Rezultoi një krizë traumatike në tregun e huadhënies për gjithë Zvicrën, ndërkohë që kolapsi i "Swissair" i kushtoi shtetit më shumë se 2 miliardë franga zvicerane (1.3 miliardë dollarë). Edhe bankat e mëdha morën pjesën e tyre të fajit për këtë dështim. Ndërkaq, UBS-ja, që në atë kohë ishte privatizuar, nuk pranoi t‘i huazonte "Swissair"-it paratë që i duheshin për të përballuar operacionet e emergjencës. Në këtë mënyrë, UBS-ja nisi të thirrej me një nofkë nga popullsia zvicerane: "Banditët e Bashkuar të Zvicrës" (United Banks of Switzerland).

Tani edhe një herë tjetër UBS-ja gjendet e ulur mbi një karrige të nxehtë. Që me nisjen e krizës financiare aktuale, shoqëria ka regjistruar humbje të rënda, të cilat prekin vlerën e 45 miliardë markave zvicerane (29 miliardë euro). Bankierët e investimeve të Wall Street arritën t‘u shpëtonin revoltave, mbi të gjitha falë mbështetjes te kursimet thatanike të depozituesve. Ndërkohë që UBS bënë me dije javën e shkuar se do shkurtonin 2 mijë vende pune në sektorin e investimeve bankare, ashtu siç vërente me sinqeritet mbresëlënës edhe gazeta vendase, "Neue Zurcher Zeitung": "Gjëja më e këndshme që mund të thuhet mbi bankierët amerikanë - dhe mbi imituesit e tyre, siç është UBS - është se janë pa skrupuj". Shumë tremben se kriza financiare do shkaktojë mbylljen e UBS-së.

Prodhimi i brendshëm bruto i Zvicrës është 512 miliardë franga zvicerane (332.1 miliardë euro). Asetet totale të UBS-së i kalojnë 2 trilionë frangat zvicerane (332.1 miliardë euro), katër herë më shumë se GDP-ja e shtetit. Edhe banka e dytë për nga rangu në Zvicër, "Credit Suisse", ka një total të bollshëm asetesh që arrijnë në 1.2 trilionë franga zvicerane (778.4 miliardë euro). Së bashku, UBS dhe "Credit Suisse" llogarisin më shumë se 640 miliardë franga zvicerane (415.1 miliardë euro) në formën e huave të vonuara.

"Kjo krizë na shtyu të bëjmë një zbulim të sikletshëm: UBS dhe ‘Credit Suisse‘ janë tepër të mëdha për Zvicrën", shkruante javën që shkoi Roxher De Uek, ish-kryeredaktori i së përjavshmes gjermane, "Die Zeit", në një gazetë zvicerane. "Në rast se falimentojnë, do shohim me sy rrënimin e një vendi të lulëzuar".

Ministri zviceran i Ekonomisë, Doris Ljutard, tha të enjten në një emision radiofonik se "në asnjë mënyrë nuk mund të urojmë hyrjen në krizë të ndonjë prej bankave tona të mëdha, për t‘iu drejtuar më pas falimentimit. Qeveria federale do ta parandalojë në mënyrë absolute diçka të tillë". Xheims Nason, zëdhënës i Shoqatës së Bankierëve Zviceranë tha për "Associated Press" të enjten se "nuk duam të shohim asnjë shenjë krize bankare. Epiqendra e financave zvicerane po tregon se është mjaft e qëndrueshme".

E megjithatë, përveç minishteteve si Lihtenshteini dhe Luksemburgu - dhe sigurisht Islanda - asnjë vend tjetër në Evropë nuk është aq i varur nga bankat dhe kompanitë e sigurimeve sa Zvicra: 18 për qind e produktit të brendshëm bruto të këtij vendi vjen nga sektori financiar. Në Britaninë e Madhe dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ky tregues është respektivisht shtatë dhe pesë për qind. Sistemi financiar zviceran numëron 100 mijë të punësuar; më shumë se gjysma e tyre punojnë për dy gjigandet për të cilat folëm më lart. Kur vjen fjala te depozitat e kursimeve të popullatës, dy bankat ndajnë së bashku 80 për qind të totalit.

Ndërkaq, Zyrihu ka nisur të ndjejë dallgët e para të cunamit bankar. Qyteti më i madh zviceran është në mëshirë të bankave të veta: për thuajse 400 mijë banorët e tij, 42 mijë vende pune sigurohen falë sektorit financiar. Vitin që shkoi, industria e financave pagoi rreth një të tretën e taksave të bashkisë së qytetit.

Deri të enjten qeveria zvicerane kishte bërë të qarta shumë pak gjëra lidhur me krizën globale. Gjatë ditëve të para të kësaj jave, teksa bankat binin njëra pas tjetrës në gjithë botën dhe shtrinin duart për ndihmë, kryeqyteti zviceran ndenji i heshtur. "Ekonomia globale po bie në humnerë. Berna mbetet e heshtur", shkruante titulli i inatosur i gazetës zvicerane "NZZ am Sonntag". Zviceranët jetojnë prej shumë kohësh me bankat, madje u pëlqen të përsërisin se besimin e bazojnë te Zoti dhe te bankat. Ndërkohë, limiti që ka vendosur shteti në dispozicion të bankave për t‘i mbrojtur nga falimentimi është një shifër qesharake prej 4 miliardë frangash zvicerane (2.6 miliardë euro). Ndërkaq, në bankat shtetërore të kantoneve po regjistrohen pakënaqësi nga ana e konsumatorëve.

Më në fund të enjten u zhvillua një takim i posaçëm. Sipas ministres së Drejtësisë, Evelin Vidmer Shlumpf, qeveria arriti në përfundimin se ndihej e shqetësuar, por siguroi se gjendja e bankave është e "sigurt në vija të trasha".

Mirëpo mësohet se ekziston edhe një plan "B": në rast se UBS-ja vërtet përgjunjet nga kriza, sigurisht që do nisë zbatimi i një marrëveshjeje të fshehtë, falë së cilës Banka Qendrore Evropiane do t‘i shkojë në ndihmë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›