E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovarizimi dhe multietniciteti

Shteti i Kosovës nuk është shteti më i ri në botë, sepse shteti i Kosovës nuk është i ri. Këso shteti kishte edhe para shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008. Shteti mbeti ashtu siç kishte qenë: në duart e misioneve civile e të pranisë ushtarake ndërkombëtare, por edhe të strukturave të Serbisë në çerekun e territorit. Edhe shteti i pavarur i Kosovës vazhdon të jetë shtet i pavarur nga Kosova. Njohja nga jashtë nuk na e dhuron dot shtetin brenda. Shteti edhe më tutje mbeti në duar të huaja dhe prandaj nuk ka ndonjë farë rritje cilësore të pushtetit të qeverisë pas shpalljes së pavarësisë. Pavarësia, e cila nuk u parapri me vetëvendosje, nuk u pasua me sovranitet. Kosova e pavarur nuk është sovrane dhe nuk ka integritet territorial. Pushteti për ta ndryshuar gjendjen socio-ekonomike dhe për të garantuar mbrojtje e siguri për qytetarët nuk vjen prej shpalljes dhe as njohjes së pavarësisë, por prej sovranitetit.

Politikologët Pal Kolsto dhe Helge Blakkisrud e definojnë shtet-bërjen si themelim të fushës administrative, ekonomike dhe ushtarake të shteteve funksionale. Kjo ngërthen vendosjen e kontrollit të kufijve, sigurimin e monopolit të fuqisë detyruese në territorin e shtetit, si dhe etablimin e sistemit tatimor. Kolsto dhe Blakkisrud këto i quajnë aspekte "të forta" të ndërtimit të shtetit, për të theksuar se aspekti më fondamental i shtetbërjes përfshin vendosjen e kontrollit fizik mbi territorin. Përveç aspekteve "të forta" të shtetbërjes, ata përkufizojnë edhe aspektet "e buta" të konsolidimit të shtetit, që i quajnë kombbërje: ndërtimin e një identiteti të përbashkët, ndjenjën e unitetit në popullatën e shtetit përmes propagandës, shkollimit, ideologjisë dhe simboleve shtetërore. Kjo ndiqet nga udhëheqësit shtetërorë, intelektualët, edukatorët dhe të tjerët që përpiqen t‘ia japin shtetit cilësitë e shtetit-komb.

Atëherë, shtrohet pyetja, kah po shkon Kosova? A do të bëhet ajo sovrane? A do të bëhet populli i Kosovës komb më vete? Nëse po, atëherë, a do të jetë kombi kosovar një komb politik sipas modelit francez? Apo, ndoshta, komb etnik sipas modelit gjerman (gjë që do të pillte historianë për t‘i ndarë dardanët prej ilirëve të tjerë)? A do të mbizotërojë ethnos-i si përkatësi dhe origjinë, apo demos-i si pjesëmarrje në proceset e institucioneve të sistemit politik?

Për ta kuptuar se kah po e çojnë Kosovën duhet kuptuar Plani i Ahtisarit. Ky Plan përmendet tetë herë në Deklaratën e Pavarësisë, përkundrejt pavarësisë që përmendet vetëm tri herë, përfshirë këtu edhe titullin e Deklaratës. Ky Plan ndodhet brenda Kushtetutës së Kosovës, e cila në nenin 143 të saj thekson se Plani i Ahtisarit ndodhet më lart se vetë ajo. Atëherë, çfarë përgjigje jep përmbajtja e këtij Plani në pyetjet e mësipërme?

Plani i Ahtisarit kur flet për kombin gjithmonë flet për bashkësitë kombëtare në Kosovë dhe jo për kombin e Kosovës. I vetmi vend ku ky Plan flet për kombin në numrin njëjës është në nenin 1.7 te Dispozitat e Përgjithshme, aty ku thuhet se Kosova duhet t‘i ketë simbolet e veçanta kombëtare. Gjithkund tjetër flitet për bashkësitë kombëtare e posaçërisht për atë serbe. Kombi kosovar, bërja e popullit të Kosovës komb më vete, nis te simbolet e Kosovës, por sipas Planit të Ahtisarit edhe përfundon tek ato. Kombi kosovar ndodhet vetëm sipër te burokracia e institucioneve, por jo edhe në terren, aty ku janë qytetarët. Kombi kosovar ndodhet lart te makinat që sundojnë, por jo edhe poshtë, te njerëzit që jetojnë.

Në nenin 1.1 të këtij Plani, pra që në fillim të fillimit, thuhet se Kosova do të jetë shoqëri multietnike. Mirëpo, në themel të multietnicitetit qëndron etnia. Shumë etni të ndryshme, duke qëndruar pranë njëra-tjetrës, e bëjnë multietnicitetin. Kështu e ka menduar Ahtisari. Sepse, ai nuk ka aspiruar t‘i integrojë komunitetet. Pikënisja e tij është etnia, kurse aspirata e tij është koekzistenca pranë njëra-tjetrës (dhe jo të integruara bashkë) e atyre komuniteteve. Prandaj, decentralizimi, trashëgimia kulturore, përfaqësimi, pjesëmarrja dhe vendimmarrja në institucionet politike është tërësisht e ndërtuar mbi baza etnike. Plani i Ahtisarit nuk e bën Kosovën kosovare, por e bën Kosovën shqiptaro-serbe; nuk e bën popullin e Kosovës komb kosovar, por e ndan atë në bashkësinë kombëtare shqiptare dhe në atë serbe (dhe, formalisht, edhe në 4 të tjera). Njësia themelore e Planit të Ahtisarit nuk është kosovari dhe as qytetari. Njësia themelore e Planit të Ahtisarit është bashkësia kombëtare. Me Planin e Ahtisarit Kosova nuk do të bëhet shtet-komb, kurse populli i saj nuk do të bëhet as komb-etnik e as komb-qytetar. Kosova do të bëhet vend shqiptaro-serb, ku shqiptarët e serbët jetojnë të ndarë territorialisht nga njëri-tjetri. Bashkë do të jenë eventualisht vetëm politikanët shqiptarë dhe ata serbë në institucionet e sistemit, por jo edhe shqiptarët dhe serbët e zakonshëm. (Në fakt, kjo është përgjigjja ndërkombëtare ndaj pastrimit etnik thuajse dallimi etnik ishte shkaku i pastrimeve etnike e jo hegjemonia e Serbisë së Millosheviçit. Një gjë e këtillë sigurisht se i ka konvenuar edhe Serbisë, e cila me përfundimin e luftës ishte e interesuar për territorializmin e prezencës së serbëve në Kosovë, si pakicë demografike që janë). Natyrisht se kjo qasje e përjetëson sundimin ndërkombëtar në Kosovë, i cili do të interpretohet si i domosdoshëm pikërisht që të mos bashkohen shqiptarët dhe serbët, meqë bashkimi i tyre besohet se do të ishte luftë e re. Dikotomia shqiptaro-serbe në shtetin e Kosovës e mban këtë shtet dhe sovranitetin përgjithmonë në duart e ndërkombëtarëve. Simptomë e kësaj është edhe fakti që fjala "ndërkombëtar" është fjala që më së shpeshti përdoret te Plani i Ahtisarit - gjithsej plot 126 herë. Fjala "serb" përdoret 37 herë, kurse ajo "shqip" dy herë: njëherë në nenin 1.6 kur flitet për gjuhën shqipe si njëra prej dy gjuhëve zyrtare dhe herën tjetër në fusnotën e nenit 2.1 të Aneksit VII, kur thuhet "komunitetet joshqiptare".

Megjithëkëtë, në Kosovë është evident projekti i kosovarizimit. A kemi të bëjmë me një kontradiktë në këtë shpjegim? Kë e ka në shënjestër ky projekt dhe pse ekziston ai nëse Plani i Ahtisarit nuk e bën Kosovën kosovare, por shqiptaro-serbe? Multietniciteti që e synon Plani i Ahtisarit është shumë vështirë i arsyetueshëm, edhe për shkak se në Kosovë janë rreth 92% shqiptarë, kurse serbë mezi 5%. Që multietniciteti të jetë më i justifikueshëm dhe më i qëndrueshëm, po forcohet faktori serb dhe po dobësohet ai shqiptar. Faktori serb po përforcohet duke u lejuar Serbia brenda Kosovës, kurse faktori shqiptar po dobësohet duke u nxjerrë Shqipëria jashtë Kosovës. Kosovarizimi është projekt politik, i cili ka për qëllim që sa më shumë t‘i distancojë shqiptarët e Kosovës prej identitetit të tyre shqiptar dhe prej Shqipërisë. Kosovarizimi nuk është projekt që zhvillohet kundër Serbisë, por kundër Shqipërisë. Kombbërja kosovar nënkupton shkombëtarizim (vetëm) të shqiptarëve, ndërkohë që nuk ka shtetbërje (në kuptimin "e fortë" të fjalës), sepse shteti mbetet në duart e ndërkombëtarëve. Në anën tjetër të së njëjtit fenomen, nuk është e rastësishme që nuk ka regjistrim të popullatës tash 9 vjet pas luftës. Qëllimi është që paraprakisht të rritet numri i serbëve duke u përfshirë këtu sa më shumë refugjatë serbë në Serbi, që janë e s‘janë nga Kosova, por edhe të zvogëlohet numri i shqiptarëve duke mos u përfshirë diaspora dhe, madje, duke ua mundësuar atyre edhe deklarimin si kosovarë, përveçse si shqiptarë. Kjo do të rezultonte me një situatë të ngjashme sikurse në Maqedoni, ku p.sh. disa anëtarë të një familjeje mbahen për maqedonas, kurse disa të tjerë të po asaj familje deklarohen bullgarë.

Nuk është multietniciteti në funksion të kosovarizimit apo të kombit të imagjinuar kosovar (të krijuar prej shqiptarëve të Kosovës), por anasjelltas: kosovarizimi është në funksion të multietnicitetit (ndarjes shqiptaro-serbe të Kosovës). Plani i Ahtisarit (si infrastrukturë ligjore dhe kodifikim normativ i multietnicitetit) qëndron mbi Kushtetutën e Kosovës (si platformë e kombit të ardhshëm e të imagjinuar kosovar) brenda së cilës ndodhet. Prandaj, multietniciteti ndodhet më lart se kosovarizimi dhe është më i madh se ai. Kosovarizimi është mënyrë me të cilën multietniciteti synon dobësimin e etnisë dominuese për hir të soliditetit të vet. Multietniciteti është koncept dhe projekt që vjen nga lart, ndërsa kosovarizimi është veçse një degë e tij. E tëra pra bëhet për hir të një koncepti mekanik që banon në zyrat e instancave më të larta politike dhe jo për hir të njerëzve që jetojnë poshtë. Hashim Thaçi dhe ministrat e tij janë sikurse agjentët te filmi "The Matrix". Ata janë kosovarët, ata janë makinat që duan t‘i fusin duart në trupat e njerëzve drejt zemrave të tyre për t‘i shndërruar edhe ata në makina. E, për atë se si "Kosova" në të vërtetë është titulli punues i filmit "Bosnia Reloaded", ndonjë herë tjetër...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›