Gjiirokastër, 735 familje të pastreha
Strehimi vazhdon të mbetet një nga problemet më të mprehta në qytetin e Gjirokastrës. 735 familje rezultojnë të regjistruara si të pastreha pranë zyrës së shërbimeve në Bashki, të ndara sipas kategorive. Kështu, familje të pastreha të kategorisë së parë rezultojnë 186 familje ndërsa të kategorisë së dytë 507 të tilla. Burime zyrtare bëjnë të ditur se gjendja e të pastrehëve paraqitet kritike, për faktin se shumica e kësaj kategorie rrinë në shtëpi me ish-pronarë. Ndërkaq, vazhdojnë aplikimet për fazën e parë, të cilat kapin shifrën e 180 familjeve, prej të cilëve 110 kanë dorëzuar edhe dokumentacionin përkatës. Nisur nga kjo situatë, janë dërguar pranë ministrisë së punëve publike kërkesat për ndërtimin e banesave sociale për tri llojet , banesa me qera, banesa me kosto te ulet si dhe truall te pajisur me infrastrukture per ta ndertuar vete banesen, duke vënë në dispozicion sheshe ndërtimi të lira. Ndërkaq, megjithëse ende nuk ka asnjë përgjigje konkrete për këtë cështje, vazhdon procesi i aplikimit të kërkesave, i cili do të vazhdojë derisa të fillojë ndërtimi i këtyre banesave.
Po sipas të njëjtave burime mësohet se duke qenë se fondet e bashkisë nuk mund ta përballojnë ndërtimin e këtyre llojeve të banesave, e vetmja shpresë për ndryshimin e gjendjes së të pastrehëve në qytetin e Gjirokastrës mbeten shumat e akorduara nga buxheti i shtetit apo edhe të donatorëve të ndryshëm.
I vetmi investim për këtë kategori, u krye në vitet 2006-2007, me ndërtimin e dy pallateve ku u strehuan 40 familje të pastreha të kategorisë së parë.