E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, liberalizohen licencat e taksive

Julian LlupoMe anë të një vendimi, Ministria e Transporteve ka hequr kufizimin për numrin e licencave të taksive. Sipas vendimit që pritet të futet në fuqi vetëm pas pak ditësh, të gjitha licencat për taksi në vend, janë të liberalizuara. Në këtë vendim përfshihen taksitë me kapacitet 4 + 1, ndërsa taksitë me kapacitet 8 + 1 duhet të kenë një numër jo më të madh se 10 për qind e taksive 4 + 1. Të pyetur nga gazeta, personat të cilët ushtrojnë aktivitetin e taksistit në kryeqytet, bëjnë të ditur se vendimi i marrë nga ministria është i padrejtë dhe do të çojë në ulje të standardeve dhe të cilësisë së shërbimit. Sipas tyre, aktualisht, ka mungesa të theksuara në vendparkimet e taksive 4 + 1 në kryeqytet, ndaj edhe nuk mundet që të ketë një liberalizim pa kriter të licencave.

***Edhe përsa i përket taksimetrit, një vendim tjetër që pritet së shpejti të bëhet i detyrueshëm nga të gjitha taksitë në vend, kundërshtimet nga shoqatat janë të shumta. Taksistët në kryeqytet bëjnë të ditur se lista e çmimeve që janë afishuar si referencë nga ana e Ministrisë së Transporteve, është e pabazuar në kostot që mbart ky shërbim. “Tarifa bazë që kërkohet për t’u zbatuar nga ana e këtij vendimi prej 300 lekësh për distanca të shkurtra, nuk është efektive dhe nëse ajo nuk negociohet me bashkitë, atëherë këto taksimetra nuk kanë për t’u vënë ndonjëherë në përdorim”, - bën të ditur Ardiani, një nga taksistët që punon në kryeqytet. Taksitë e licencuara në kryeqytet vënë në dukje se një nga problemet e mëdha janë taksitë pa licencë që konkurrojnë padrejtësisht në treg, duke hequr mundësinë e zbatimit të këtyre çmimeve të reja që kërkohen për t’u zbatuar nga ky shërbim nëpërmjet taksimetrit. Aktualisht, si në asnjë vend të botës, çmimet e vendosura për shërbimin taksi në kryeqytet janë subjektive duke mos marrë parasysh asnjë nga faktorët që mund të jenë lehtësues për klientin, si koha e pakët e udhëtimit apo distanca e ulët. Madje, çdo taksi ka një çmim subjektiv, që e vendos në mënyrë individuale për çdo klient.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›