Gjika: Nuk rikthehem, ka klane pro Skënderbeut

Shpëtim Gjika
Shpëtim Gjika ka konfirmuar edhe një herë se nuk do të rikthehet në postin e presidentit të Flamurtarit. Gjatë një prononcimi të dhënë dje për “Supersport”, kryebashkiaku ka theksuar gjithashtu se ekziston një klan pro Skënderbeut, ndaj të cilit ai nuk mund të luftonte dot i vetëm. Ndërkohë ai ka garantuar lojtarët dhe tifozët për pjesën financiare dhe përmbushjen deri në një të kontratave.
Dorëheqja – “Sot kam qenë një tifoz i Flamurtarit dhe ju siguroj se ishte një pozicion komod. Sakaq, ju konfirmoj se kam dhënë dorëheqjen dhe nuk do të rikthehem në postin e presidentit. Kjo është një shenjë sa dëshpërimi, por edhe revolte për atë çka na ndodhi në Korçë në ndeshjen me Skënderbeun. Të gjithë e patë dhe të gjithë na dhanë të drejtë për atë padrejtësi që na u bë në atë takim. E ndiej veten të fyer dhe inferior, pasi gjithnjë kam qenë dhe jam mësuar të jem i barabartë në një garë. Kam përballuar tri gara zgjedhore në bashki, por në futboll e shikoj se nuk ka barazi, ndaj nuk ai vlen që të qëndroj më”, tha Gjika. Më tej, ai ka thumbuar korçarët: “E kam thënë më përpara se Flamurtari do ishte për titull kampion, ashtu sikundër edhe Skënderbeu. Por, në kushte jo të barabarta, nuk mund të fitosh trofe. Unë nuk mundet të them se ka pasur klane kundër Flamurtarit, por jam i bindur se ka klane pro Skënderbeut. Presidenti i këtij klubi më ka quajtur qaraman, por më thoni ju se ku jam treguar i tillë. A nuk e patë se çfarë na ndodhi edhe në Shkodër, një javë më vonë? Përsëri unë jam i keqi?”, ka theksuar Gjika. Sakaq, kryebashkiaku ka garantuar se Flamurtari nuk do të vuajë për financa. “Unë vërtetë nuk do jem më president, por i siguroj lojtarët dhe stafin teknik se nuk do ketë asnjë problem financiar dhe kontratat do të zbatohen pikë për pikë. Pejiç? Ju siguroj se nuk ka qenë problem financiar ikja e tij nga Vlora. Është një gjë që e di vetëm ai edhe unë”, ka thënë Gjika.
Rubio e lë jashtë, ikën Hair Zeqiri
Por edhe në këtë pozitivitet nuk kanë munguar hatërmbetjet, madje deri në revoltë te Flamurtari. Ka ndodhur me Zeqirin, i cili është larguar në mënyrë demonstrative nga ekipi pak para nisjes së takimit. Mesfushori, në shenjë revolte ndaj trajnerit për lënien e tij jashtë formacionit, është larguar nga stadiumi. “Nuk e di se pse iku Zeqiri. Unë e vlerësoj si lojtar dhe si djalë, por nuk di t’ju them se çfarë ka ndodhur me të”, ka thënë tekniku në fund të takimit. Ndërsa lojtari ka pohuar se donte të luante, paçka se kishte qenë me grip. “Nuk kam qenë mirë, kam qenë me grip, por jam stërvitur këto ditë dhe dëshiroja të luaja. Nuk mund të qëndroja dot në pankinë, por trajneri nuk më futi. Nuk ka asnjë lajm këtu për t’u shqetësuar, unë do të vijoj të jem pjesë e Flamurtarit”.Protesta
“Flota Kuqezi” proteston. Tifozët, siç ishte paralajmëruar, kanë kthyer përmbys një prej banderolave. Kjo protestë ka zgjatur vetëm 20 minuta, ndërsa është dashur ndërhyrja e deputetit Eltar Deda, i cili u kërkoi tifozëve të rregullonin qëndrimin. “Ekipi ka nevojë për ju, ju protestoni, nuk shkon kështu”, është shprehur Deda. Pas kësaj tifozët e flotës e kanë rregulluar banderolën.