E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drenica paralajmëron super përforcime

Drenica pritet të bëjë përforcime bombastike gjatë këtij dimri. Skuadra kuqezi e kaloi një vjeshtë zhgënjyese në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll, prandaj drenicasit e kanë ndërmend të intervenojnë gjatë afatit kalimtar të janarit.

Kryetarja e klubit, Mihane Kadriu-Bekteshi, ka paralajmëruar se Drenica nuk do të rrijë duarkryq, duke ia përforcuar ekipin trajnerit Tahir Lushtaku.

“Sot e kemi pasur një takim dhe i kemi qartësuar shumë gjëra. Prej tash do të vërsulemi drejt përforcimeve. Do t’i bëjmë 5 përforcime ku janë më të mirat. Ato do t’i zgjedhim në bashkëpunim me trajnerin. Mundësitë i kemi, prandaj do të angazhojmë lojtarë shumë cilësorë”, paralajmëroi ajo.

Sipas kryetares Kadriu-Bekteshi, që nga kjo javë mund të zbarkojë në Drenicë ndonjëri prej përforcimeve, ndërsa ajo shtoi se lojtarët që nuk e dhanë atë që pritej nga ta e që janë pa kontrata ka gjasa të largohen nga Drenica gjatë dimrit.

Kuqezinjtë e mbyllën pjesën vjeshtore të kampionatit në pozitën e 10-të me 16 pikë të grumbulluara me vetëm 2 fitore, 3 pikë përpara ekipeve që e mbyllin tabelën, Llamkos Kosova dhe Liria.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›