E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjiknuri: Anëtarët të mos kenë më vendimmarrje

02/03/2012  Ligji elektoral, ekspertët forum për depolitizimin e administratës

Ish-kreu i KQZ-së Celibashi propozon një sistem zgjedhor mazhoritar

Depolitizimi i administratës zgjedhore është një nga kërkesat permanentë që vjen nga ekspertët e zgjedhjeve. Në të njëjtën linjë ishte dhe propozimi i ardhur dje nga bashkëkryetari socialist i Komisionit për Reformën Zgjedhore Damian Gjiknuri dhe ish-kreu i KQZ-së Ilirian Celibashi. Kështu, në forumin e organizuar dje për depolitizimin e reformës dhe administratës zgjedhore, ku veç dy ekspertëve morën pjesë dhe ish-drejtuesit e tjerë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtarët aktualë si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, iu mëshua me forcë faktit që përfaqësuesit e administratës zgjedhore të mos jenë pjesë e përzgjedhjes politike. "Një mënyrë mikse me përfaqësues që janë propozuar nga partitë politike dhe për pjesën tjetër të gjendet një mekanizëm tjetër, që këta anëtarë të administratës zgjedhore të mos jenë të propozuar drejtpërdrejtë nga partitë politike, por nga një trup që të paktën formalisht, të themi, nuk është e varur nga politika. Për KQZ-në numri 5, 7 apo 9 anëtarë është deri diku i pranueshëm dhe efiçentë. 5 apo 7 anëtarë mund të ishte përbërja e kësaj administrate dhe në nivel më të ulët", - vuri në dukje Celibashi gjatë fjalës së tij në këtë forum. Ndërkohë që Gjiknuri, duke insistuar në çlirimin e niveleve poshtë të administratës zgjedhore nga vendimmarrja, propozoi që “ata të kenë veprime të karakterit standard, të mos kenë më vendimmarrje, siç ndodhi te njësia nr. 5, që u mbyll procesi dhe ai me një urdhër telefoni nuk firmoste procesverbalin". Në këtë takim ekspertët u ndalën dhe te ndryshimi i sistemit zgjedhor. “Nëse duam që të kemi një përfaqësim të gjerë, është e qartë që ky sistem nuk e siguron, ose së paku nuk e garanton. Nëse duam një qeverisje të fortë dhe ta lëmë mënjanë përfaqësimin, atëherë prapë ky sistem ka problemet e veta, ndaj ndoshta do të duhet një sistem tjetër, siç është ai mazhoritar”, - u shpreh Celibashi sa i takon një çështje të tillë.

Vendimi

Komisioni për Reformën Zgjedhore zgjati mandatin deri më 30 prill. Përfaqësuesit e këtij komisioni kanë vendosur që t’i japin kohë vetes për ndryshimet në Kodin Zgjedhor me dy muaj të tjerë, me qëllim që të mund të mbyllin të gjitha çështjet, pjesë e diskutimit në këtë komision. Sipas deputetit Damian Gjiknuri, bashkëkryetari socialist në komision, bisedimet mes palëve kanë arritur në një fazë kritike, konkretisht te formati i KQZ-së. “Procesi ka hyrë në një fazë kritike. Do të zhvillojmë një seminar në fund të marsit me përfaqësues të OSBE–ODHIR-it për të diskutuar disa nga mundësitë që kanë lidhje me modelet, por mbi të gjitha me kompetencat dhe të drejtat që do të kenë palët në këtë proces”, - sqaroi Gjiknuri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›