E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjobitet, kërcënoi me mesazh kryebashkiakun e Çorovodës

02/03/2012  Gjykata gjen me faj 39-vjeçaren, e cila nuk e pranon fajin. Kërcënimet, të shpeshta

SKRAPAR - Kërcënoi me një mesazh në telefonin celular kryetarin e Bashkisë së Çorovodës, ndërkohë që tashmë është dënuar nga gjykata me një gjobë prej një milion lekësh dhe i duhet të paguajë dhe shpenzimet e gjykatës. “ Gogol i Çorovodës je bërë, por unë do të bëjë gogolin e fisit. Ruaje mbesën në e do se do të ik nga budallallëqet që po bën, do ta qash tërë jetën”. Ky ka qenë mesazhi që mbërriti një vit më parë në telefonin celular të kryetarit të Bashkisë së Çorovodës, Nesim Spahiu. Më 24 gusht të vitit 2011 kryetari i bashkisë Spahiu do të bënte në organin blu të qytetit të Çorovodës një denoncim pas mbërritjes së mesazhit kërcënues të mbërritur në telefonin e tij. Së bashku me denoncimin, kreu i bashkisë do të dorëzonte në polici dhe kartën e tij telefonike ku mbërriti dhe denoncimi me sms, por jo vetëm.

Kërcënimi

Në të njëjtin numër më pas do të vinte dhe një thirrje telefonike pa numër, gjithashtu kërcënuese. Pas mbërritjes së këtij denoncimi organi blu në qytetin e Çorovodës nisi menjëherë hetimet e rastit ku shumë shpejt u kryen verifikimet e nevojshme pranë operatorëve të telefonin celular, çfarë nxorri në dritë personin që dispononte numrin celular nga i cili mbërriti mesazhi kërcënues dhe emri i pronarit të celularit. Tashmë e konsideruar si e zbuluar çështja mbërriti pa vonesë në organin e akuzës në qytetin e Beratit. Prokurori i çështjes Arens Çela do të vërente se në dosjen e kësaj çështje rezultonte emri i Miranda Bazes, një 39-vjeçare nga qyteti i Çorovodës si pronare e aparatit celular, por numri nga kishte dal mesazhi i përkiste një tjetër qytetareje po nga ky qytet. Nga hetimet e kryera nga organi i akuzës mësohet se aparati celular, i përkiste 39-vjeçares Baze, ndërkohë që karta e telefonit me numrin përkatës ishte blerë në emrin e një tjetër personi. Në këto kushte kur vërtetohej pronësia e telefonit celular dhe për organin e akuzës kjo çështje konsiderohej krejtësisht e zbardhur me gjithë deklarimet e të akuzuarës Baze sipas së cilës në kohën që ishte dërguar mesazh ajo e kishte humbur celularin. Dy muaj më parë çështja ju përcoll gjykatës së rrethit gjyqësor në Berat ku e akuzuara Miranda Baze u vendos të gjykohej në gjendje të lirë. Pas një procesi gjyqësor të shkurtuar përfaqësuesi i organit të akuzës i kërkoi gjykatës shpalljen e së pandehurës fajtore në lidhje me akuzën e “përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike” dhe kërkoi dënimin me gjobë me 1 milion e 500 mijë lekë (të vjetra). Por, gjykata me një vendim në numër 62 të disa ditëve më parë vendosi të dënojë me një milion lekë gjobë 39-vjeçaren dhe pagesën e shpenzimeve të gjyqit, ndonëse kjo e fundit nuk pranoi asnjë herë se kishte kërcënuar me mesazh kreun e bashkisë. Mesazhi kërcënues në telefonin e kreut të Bashkisë së Çorovodës mbërriti pak muaj pas zgjedhjes së tij në krye të bashkisë nga zgjedhjet e 8 majit 2011. Ndonëse, sipas shumë banorëve të qytetit të Çorovodës, dërgimi i mesazhit kërcënues lidhej me reformën e tij pas marrjes së postit, qytetarja nga Çorovoda nuk e pranoi kurrë dërgimin e tij dhe pse tashmë do të pagojë gjobën dhe shpenzimet e gjyqit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›