Volfart: Realizoni synimet për integrimin në BE

Eugen Volfart, Fate Velaj dhe Baftiar Zeqaj
Promovimi i vlerave dhe misionit të OSBE-së ishin në qendër të takimit që ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Volfart zhvilloi në qytetin e Fierit me kryetarin e Bashkisë Baftjar Zeqaj e përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor.
Të pranishmit vizituan vendin ku do të zbatohet projekti i ri Europa Plaza iniciativë e artistit Fate Velaj në sheshin Fitorja dhe iu drejtuan më pas sallës së Këshillit Bashkiak ku takimi vijoi me përshëndetjet dypalëshe për të pranishmit.
Në fjalën e tij Zeqaj u shpreh se bashkëpunimi i ngushtë me përfaqësuesit ndërkombëtarë ka qenë veçanërisht i dobishëm në implementimin e projekteve me rëndësi për qytetin si ai për planin rregullues të qytetit, menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane në bashkëpunim me ambasadën Holandeze projektet e USAID-it etj. Në këtë kuadër theksoi Zeqaj po bashkëpunohet edhe për një sërë iniciativash të tjera si ato për sistemimin e lumit Gjanica dhe disa projekteve të tjera kulturore madhore për qytetin.
Volfarth në nisje të diskutimit të tij përgëzoi artistin Fate Velaj dhe Bashkinë Fier për punën që kanë bërë për promovimin e vlerave dhe marrëdhënieve me institucionet Evropiane. Një pikë tjetër thelbësore në fjalën e ambasadorit Volfart ishte edhe domosdoshmëria e vazhdimit të procesit integrues të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Do të ishte e mrekullueshme të shihnim hapa përpara në këtë proces sidomos këtë vit që është edhe viti i 100-vjetorit të Pavarësisë sepse ne jemi këtu si partnerë dhe miq të Shqipërisë, tha ai.
Takimi përfundoi me një prononcim të shkurtër për mediat lokale gjatë së cilës ai theksoi nevojën e bashkëpunimit të vazhdueshëm të forcave politike në parlament për përmbushjen e synimeve integruese të Shqipërisë dhe miratimin e ligjeve me 3/5. /K.Thana/