Gjiknuri: Kodi, ja kompromisi me PD-në
Eksperti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, flet për pikat ku do të ndërhyhet në Kod
TIRANË- Eksperti i Partisë Socialiste për hartimin e Kodit Zgjedhor, Damian Gjiknuri, ka përjashtuar dje çdo lloj mundësie, që të merren parasysh kërkesat e disa partive të vogla, për rishikim të përbërjes së komisioneve zgjedhore. Në një deklarim për mediat, Gjiknuri ka sqaruar pikat se ku do të përqendrohet puna në komisionin e reformës zgjedhore, mandati i së cilës nuk është përcaktuar zyrtarisht. “Komisioni mund ta përfundojë misionin e tij edhe me një ditë. Në një ditë propozohet nga ana e ekspertëve një zgjidhje juridike, miratohet nga komisioni dhe pastaj projektligji pasurohet me këtë dispozitë tranzitore dhe shkon në Kuvend për t’u miratuar ashtu siç është”,- tha Gjiknuri. Eksperti i PS-së theksoi se për ndryshimin në Kod është menduar një zgjidhje juridike në bashkëpunim me PD-në .“Ne kemi menduar për një zgjidhje juridike. Ashtu siç kam biseduar edhe me palën tjetër, kemi gjetur një zgjedhje të mundshme. Do të jetë një afat i përcaktuar, për shembull 7 ditor ose disa ditor dhe këtë do ta vendosë komisioni. Pra, nga hyrja në fuqi e këtij ligji, do t’i jepet disa ditë kohë Presidentit, në mënyrë që të dekretojë ligjin dhe të konsultohet me palët nëse është e nevojshme. Të kemi parasysh që diskrecioni është shumë i vogël dhe kemi vetëm dy data në dispozicion, datën 12 dhe 28 qershor. I takon Presidentit që të zgjedhë një nga këto dy data dhe të vendosë se kush do të jetë data e zgjedhjeve,”- tha ai. Gjiknuri ka argumentuar dje edhe kthimin e Kodit Zgjedhor nga ana e Presidentit të Republikës. “Nuk është çështje lapsusi. Është çështje e interpretimit ligjor. Problem nuk ka. Presidenti mund ta kishte evituar. Nuk kishte asnjë lloj problemi dhe nuk është çështje lapsusi, se nuk është që ne u ngatërruam. Ne e menduam mirë. Megjithatë, nga pikëpamja juridike, për aq kohë sa ligji nuk ka hyrë në fuqi, nuk ka shkelje. Pra, Presidenti nuk po bën ndonjë shkelje. Ligji do të hyjë në fuqi dhe Presidenti do të konsultohet detyrimisht me Kushtetutën për të nxjerrë dekretin. Do të nxirret dekreti dhe do të përcaktohet dhe data”,- tha ai.