E Shtunë, 31 Tetor 2026

Themelimi i PD-së, 2500 ftesa për fillimin e fushatës

18 dhjetori i themelimit të partisë, u shoqërua dje vetëm me fjalën e Kryeministrit Sali Berisha.

TIRANË- Për herë të parë demokratët braktisën hollin e Pallatit të Kongreseve, ku rregullisht kremtonin përvjetorët e partisë së parë opozitare në vend. 18 vjetori i krijimit të PD-së ishte konceptuar më shumë se një festë, ndaj, dje, ishte zhvendosur në sallën e madhe. Në një fjalim mbi 60 minuta, Kryeministri Sali Berisha shpalli fushatën për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, si edhe shprehu ambicien e tij për një mandat të dyte qeverisës. Gjithë organizimi, nga fillimi deri në fund, i ngjante fushatave amerikane, muzikë ritmike dhe të rinj me pankarta në duar. Ceremonia filloi me një material që risolli Lëvizjen Studentore në vitet ‘90, krijimin e PD-së, si edhe ardhjen e demokrateve në pushtet, në vitet 1992 dhe 2005. Si asnjëherë tjetër, në hollin e Pallatit të Kongreseve ishin vendosur vetëm dy flamuj, ai shqiptar dhe flamuri i PD-së, duke hequr dorë nga fotot e lëvizjes ‘90. Holli i Pallatit të Kongreseve, ndryshe nga vitet e mëparshme, ishte krejt i varfër me rregullime, përveç tortës së madhe me ngjyrat e flamurit të PD-së, që ruhej me fanatizëm nga dy gardistë. 2500 ftesa ishin shpërndarë dje për simpatizantë të PD-së, ambasadat e huaja, drejtuesit e institucioneve shtetërore, dhe një pjesë të administratës, të cilët në fund të festës, kanë përfituar të bënin ndonjë foto edhe me ministrat në dikasteret ku ata punojnë.

Flet vetëm Berisha

18-vjetori i krijimit të PD-së ishte një ndër të paktat ceremoni ku foli vetëm kryetari po kaq vjeçar i kësaj partie, Sali Berisha. Në përvjetorë të tjerë, ku festimet kanë qenë edhemë modeste, fjalën e kanë marrë edhe figura të tjera të selisë blu. Por dje, më shumë se një përvjetor i themelimit të partisë, ceremonia ishte fillimi i fushatës. “Aplikimi për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të bëhet në fillim të vitit të ardhshëm”,- tha Berisha, kërkesë kjo që është bërë nga opozita prej shumë muajsh. Ai doli në mbrojtje të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, duke e cilësuar rrugën Durrës-Kukës si korridorin e shqiptareve, e që do të inaugurohet në qershorin e 2009-s, pak para zgjedhjeve parlamentare. Berisha foli gjatë, për rreth një orë e gjysmë, ku jo pak herë është kthyer nga të rinjtë që mbanin pankarta nëpër duar, ku shkruhej “Shqipëria po ndryshon”

Festa

Pas përfundimit të fjalës së gjatë të Kryeministrit të vendit, me këngën gjëmuese të AC/DC-së, “Thunderstruck”, para Pallatit të Kongreseve u lëshuan fishekzjarre, ndërkohë që Berisha kishte mbërritur tashmë para tortës së madhe, por vetëm për ta prerë dhe për të ngritur një dolli, ku si rrallëherë, afër tij kishte vetëm ministrat e kabinetit qeveritar, dhe nga themeluesit, vetëm Neritan Cekën.Më pas, Kryeministri nuk ka ngritur dolli me askënd. Ai është drejtuar drejt derës kryesore bashkë me bashkëshorten Liri Berisha, dalja për të cilin ka qenë tepër e vështirë nga dyndja e madhe e njerëzve. Ndërkohë, ministrat, të udhëhequr nga Sokol Olldashi, janë detyruar të dalin nga ana e prapme e ndërtesës. Ministri i Transporteve, Olldashi, kryesonte ministrat Lulzim Basha, zv-kryeministrin Genc Pollo, ministrin Genc Ruli, Enkeleid Alibajn dhe Kryetarin e Grupit Parlamentar, Astrit Patozi. Pas dy orësh, festa e themelimit të PD-së mbaroi po aq rrëmujshëm sa filloi.

 

Nuk marrin pjesë në festë edhe drejtues të partive të djathta. Nga PS-ja merr pjesë Leskaj dhe Bare

Festa, mungojnë themeluesit dhe ambasadorët

TIRANË- Për ambasadorët e akredituar në Tiranë, hyrja dje në Pallatin e Kongreseve për të marrë pjesë në 18-vjetorin e themelimit të PD-së, ka qenë larg vëmendjes së të ftuarve të tjerë. Një hyrje e posaçme në anën e pasme të Pallatit të Kongreseve ishte rezervuar vetëm për ta, ndërkohë që të paktë kanë qenë ata që kanë pranuar ftesën. Rreshti ku ata do të qëndronin, ishte thuajse bosh. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për dhjetoristët. Në hollin e Pallatit të Kongreseve qëndronin vetëm Besnik Mustafaj dhe Preç Zogaj, ndërkohë që një tjetër figurë e djathtë, po aq e rëndësishme në themelimin e partisë, ish-Kryeministri Aleksandër Meksi, nuk ka marrë pjesë. Vështirë ishte të dalloje edhe praninë e Arben Imamit apo ndonjë dhjetoristi tjetër, për shkak të numrit të madh të njerëzve të ftuar. E njëjta panoramë ishte edhe për partitë e tjera të djathta. Përveç Arjan Starovës dhe Tritan Shehut, nga partitë e tjera të djathta, si republikanët, nuk është parë ndonjë zyrtar i lartë i kësaj partie.Edhe drejtuesit e PBDNJ-së dhe PDK-së nuk ishin të pranishëm në festën e PD-së. Ndërkohë që, partia më e madhe në opozitë, PS-ja, ashtu si çdo vit, ka respektuar ftesën zyrtare të dërguar nga PD-ja, duke u përfaqësuar me Kryetaren e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj dhe Kryetarin e PS-së Tiranë, Besnik Bare. Ndërsa nga LSI-ja kanë pranuar ftesën vetëm dy deputetë të saj, Ndre Legisi dhe Pëllumb Xhufi. Të paktë ishin edhe deputetë nga Grupi Parlamentar i PD-së, të cilët gjithçka e ndiqnin nga monitori i vendosur në hollin e Pallatit të Kongreseve, ku po jepej direkt, fjala e Kryeministrit Sali Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›