E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit: Ankesat për fondin e qeverisë

 

Kreu i Institutit të Integrimit të Ish-të Përndjekurve, shpjegon 3 ankesat e tyre dhe problemet me shpërndarjen e fondit

TIRANË- Të përndjekurit politikë, kanë afat deri më 31 dhjetor, për të depozituar pranë Ministrisë së Drejtësisë dokumentet përkatëse për të përfituar nga fondi prej 220 milionë lekësh të rinj, i vënë në dispozicion nga qeveria shqiptare për këtë kategori njerëzish. Por, vetë të përndjekurit kanë pakënaqësi në lidhje me këtë ligj. Ata kanë depozituar tri kërkesa, por ende nuk kanë marrë përgjigje nga shteti. Kreu i Institutit të Integrimit të Ish-të Përndjekurve Politikë, Simon Mirakaj, ka kundërshtuar edhe mënyrën e shpërndarjes së parave, sipas të cilit, ajo nuk është e drejtë. Vetë Mirakaj ka propozuar një mënyrë tjetër, që mendohet të jetë më efektive.

Kërkesat

Muaji mars do të jetë ndoshta fillimi i procesit për alokuimin e fondeve tek ish-të përndjekurit. Deri më tani, qeveria e djathtë e ka djegur këtë fond për tre vite resht, por këtë herë duket se faktori “fushatë elektorale” e ka vënë Berishën me shpatulla pas murit. Kreu i Institutit të Integrimit të Ish-të Përndjekurve Politikë, Simon Mirakaj, ka deklaruar për gazetën “Shekulli”, se pritet që brenda muajt mars të vitit 2009, të fillojë edhe alokuimi i fondit prej 220 milionë lekësh tek ish-të dënuarit. Por, ish-të përndjekurit kanë shprehur pakënaqësitë e tyre në lidhje me këtë ligj, të miratuar një vit më parë. Nga vështirësitë që janë hasur gjatë këtij procesi, ka bërë që, Instituti të depozitojë pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Komisionit të Ligjeve në Kuvend kontestimet e tyre për tri pika konkrete. Kontestimi i parë ka të bëjë me njohjen e vërtetimeve të Komisionit trepalësh, të formuar në vitin 1993. Gjatë këtij viti është ngritur një komision trepalësh me përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme dhe të ashtuquajturit sot, Instituti i Ish-të Përndjekurve Politikë. Ky komision, i nisur edhe nga vendimi i Parlamentit të vitit 1991, e ka quajtur periudhën e internimit të viteve 1945 – 1954, si vite burgimi. Kjo periudhë është më problematikja, pasi dokumentet pranë Ministrisë së Brendshme janë zhdukur, duke krijuar një kaos tek njerëzit që nuk dinin ku të drejtoheshin për të marrë dokumentet që u përkisnin. Si të mos mjaftonte kjo, vjen edhe ligji i miratuar në vitin 2007 për ish-të dënuarit politikë, i cili shfuqizon dhe nuk i njeh vërtetimet e komisionit trepalësh. Kjo ka sjellë irritimin e shumë njerëzve që ndihen të prekur nga ky përjashtim. Pika e dytë që ish-të përndjekurit kanë propozuar, është që të njihen edhe pushkatimet pa gjyq. Të gjithë ata persona që janë pushkatuar pa gjyq, nuk kanë asnjë mundësi për të përfituar nga dëmshpërblimi. Instituti i Ish të-Përndjekurve ka propozuar që edhe këta persona të përfitojnë dëmshpërblim. Kërkesa e tretë është me një problematikë mjaft të rëndësishme, e cila përjashton ata persona që nuk kanë trashëgimtarë. Kërkesa e Institutit është që, nëse një person nuk ka trashëgimtarë, pra fëmijë, dëmshpërblimi të kalojë në duart e motrës apo të vëllait përkatës. Këto kërkesa janë depozituar nga Instituti i Ish-të Përndjekurve Politikë pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Komisionit Ligjor pranë Kuvendit. Kjo kërkesë është depozituar para dy javësh dhe pritet, sipas Mirakajt, t’i kthehet përgjigje shumë shpejt.

Mungesa e një moduli shpërndarjeje

Me miratimin e këtij ligji nuk është përcaktuar ende një modul për mënyrën se si do të shpërndahen fondet. Formula e shpërndarjes së fondeve është ende në diskutim. Është propozuar si fillim që shpërndarja e fondeve të bëhej më mënyrë të barabartë, duke shmangur pakënaqësitë. Por, sipas kreut të Institutit të Ish-të Përndjekurve, pritet që të propozohet që formula e shpërndarjes të jetë disi ndryshe. Mirakaj deklaron se duhet t’u jepet përparësi në shpërndarjen e fondeve të gjithë individëve në nevojë, invalidëve, të moshuarve, etj. Nuk dihet ende se kur do të përcaktohet mënyra e shpërndarjes së fondeve, por thuhet se alokuimi total i tyre pritet që të përfundojë brenda 8 vitesh.

Dosjet e depozituara

Deri më tani janë depozituar për shqyrtim pranë Ministrisë së Drejtësisë rreth 13 mijë dosje. Por, sipas Mirakajt, ky numër, deri në përfundim të tij, pritet të kapë shifrën e 17 mijë dosjeve. Kërkesat për të përfituar dëmshpërblim janë të shumta dhe numri i dosjeve që po shqyrtohen është voluminoz. Po të marrim parasysh edhe shtimin që mund t’i bëhet këtij numri nga të pushkatuarit pa gjyq, numri i dosjeve pritet që të rritet ende. Shqyrtimi i dosjeve, sipas Ministrisë së Drejtësisë, pritet që të përfundojë brenda muajt mars. Por, me një volume të tillë, afatet mund të kapërcehen.

Listat

Brenda tre muajve të vitit të ardhshëm pritet që të përfundojë edhe hartimi i listave përfundimtare i personave që do të kualifikohen për të përfituar dëmshpërblim. Shqyrtimi i dosjeve nga Ministria, kërkon një punë mjaft të shpejtë për të përballuar afatet kohore të përcaktuara në ligj. Në zyrat e Ministrisë, gjatë të gjitha ditëve, drejtohen njerëz nga të gjitha anët e Shqipërisë për të marrë shpjegime në lidhje me problematikat që i shqetësojnë. Njerëzit shfaqin shqetësimin e moskuptueshmërisë së dokumentacionit shtesë që u kërkohet nga Ministria.

Kërkesat

Të njihen vërtetimet e komisionit trepalësh

Të njihen pushkatimet pa gjyq

Nëse s’ka trashëgimtarë, dëmshpërblimin ta përfitojë motra ose vëllai

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›